Kiril Minoski: Paga minimale në Maqedoni është e ulët

TË FUNDIT

Ish-ministri i Financave, Kiril Minoski, në emisionin “Biznes21” në TV21, vlerësoi se paga minimale në Maqedoninë e Veriut është e ulët dhe nuk siguron kushte për një jetë dinjitoze, veçanërisht për familjet që mbështeten vetëm në këto të ardhura.

Sipas Minoskit, është e domosdoshme të gjenden zgjidhje që njëkohësisht do të kontribuojnë në rritjen e standardit jetësor të punëtorëve dhe në përmirësimin e mirëqenies së tyre të përgjithshme.

“Pa dyshim, paga minimale në Maqedoninë e Veriut është e ulët. Nëse, për shembull, në një familje ka dy anëtarë që punojnë për pagë minimale, vështirë se mund të flasim për një jetë dinjitoze për ato familje”, theksoi Minoski.

Ai vlerëson se rritja e pagës minimale duhet të bëhet me kujdes dhe në mënyrë të targetuar, veçanërisht në sektorët më të prekur dhe ku pagat janë më të ulëta, me qëllim që të mos rrezikohet stabiliteti ekonomik dhe qëndrueshmëria e kompanive.

Në këtë kontekst, ish-ministri theksoi se Qeveria duhet të përfshihet në mënyrë aktive në procesin e dialogut social trepalësh mes shtetit, punëdhënësve dhe sindikatave, për të gjetur zgjidhje të përbashkëta dhe të qëndrueshme.

Minoski paralajmëroi gjithashtu se praktika e “zëvendësimit të popullsisë vendase me fuqi tjetër punëtore” si përgjigje ndaj mungesës së fuqisë punëtore, nuk jep rezultate pozitive në afat të gjatë, duke nënvizuar se fokusi duhet të jetë në ruajtjen dhe përmirësimin e kushteve për fuqinë punëtore vendase.