Kina synon ndërtimin e një komuniteti më të ngushtë fatesh të përbashkëta me partnerët e ASEAN

TË FUNDIT

Kryeministri kinez Li Qiang mori pjesë të mërkurën në Samitin e 26-të Kinë-ASEAN, bashkë me liderët nga vendet anëtare të këtij mekanizmi.

Në fjalën e tij në këtë veprimtari, kreu i qeverisë kineze paraqiti një propozim prej katër pikash.

Së pari, krijimi i përbashkët i një qendre të rritjes ekonomike, forcimi i ndërlidhshmërisë dhe thellimi i bashkëpunimit në zinxhirët industrialë dhe të furnizimit.

Së dyti, nxitja e bashkëpunimit në industritë e reja, si automjetet me energji të reja, energjia fotovoltaike, inteligjenca artificiale etj.

Së treti, puna e përbashkët për të ruajtur paqen e qetësinë rajonale, promovimi në mënyrë aktive i konsultimeve mbi tekstin e “Kodit të Sjelljes në Detin e Kinës Jugore” dhe shtimi i bashkëpunimit në luftën kundër mashtrimit në fushën e telekomunikacionit dhe hapësirën kibernetike.

E katërta, zgjerimi i shkëmbimeve njerëzore-kulturore dhe i bashkëpunimit në fushat e kulturës, turizmit, trajnimit dhe çështjeve të të rinjve.

“Kina dhe ASEAN-i janë fqinjë, vëllezër dhe partnerë të mirë e të pandashëm. Kina është e gatshme t’i përmbahet aspiratës origjinale të bashkimit me vendet e ASEAN-it, të mbështesë frymën e bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë dhe të ndërtojë një vatër të përbashkët paqësore, të sigurt, të lulëzuar, të bukur dhe miqësore,” vuri në dukje kreu i qeverisë kineze.

Në mbledhje, kryeministri Li paraqiti edhe qëndrimin e Kinës për lëshimin e ujit të ndotur radioaktiv të Japonisë, duke theksuar se trajtimi i ujit të ndotur radioaktiv nga centrali i dëmtuar i Fukushimës ka të bëjë me mjedisin ekologjik oqeanik global dhe shëndetin e gjithë njerëzimit. Sipas tij, pala japoneze duhet të mbajë si duhet detyrimet e veta ndërkombëtare dhe të zhvillojë konsultime të plota me vendet fqinje e palët e tjera të interesuara, duke e trajtuar me përgjegjësi këtë çështje.

Udhëheqësit e vendeve të ASEAN-it vlerësuan nga ana e tyre arritjet e bashkëpunimit ndërmjet ASEAN-it dhe Kinës dhe thanë se partneriteti i gjithanshëm strategjik ASEAN-Kinë ka sjellë përfitime të mëdha për popujt e rajonit dhe ka promovuar paqen, zhvillimin dhe qëndrueshmërinë rajonale. Vendet e ASEAN-it janë të gatshme të shtojnë më tej besimin e ndërsjellë me Kinën, të forcojnë lidhjen me nismën “Një brez, një rrugë”, të thellojnë bashkëpunimin në bujqësi, tregti, investime, ekonominë digjitale, shkencë e teknologji, arsim, kulturë dhe fusha të tjera, si edhe të bashkohen për të përballuar sfidat globale, si ndryshimi i klimës.

Vendet e ASEAN-it mirëpresin përparimin në hartimin e “Kodit të Sjelljes në Detin e Kinës Jugore”, përfundimin e negociatave për përmirësimin e Zonës së Tregtisë së Lirë ASEAN-Kinë sa më shpejt të jetë e mundur dhe organizimin e përbashkët të Ekspozitës së 20-të Kinë-ASEAN. Ato janë të gatshme për të punuar me Kinën për të shfrytëzuar mundësitë e për të përballuar sfidat, për ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta ASEAN-Kinë, shkruan CMG.

Po, të shtohen se në Samitin ASEAN+3, me pjesëmarrjen e 10 vendeve të ASEAN-it dhe Kinë, Japoni, Kore e Jugut, kryeministri kinez paraqiti edhe qëndrimin e tij për lëshimin e ujit të ndotur radioaktiv.

Kujtojmë se kryeministri kinez Li Qiang mori pjesë në Mbledhjen e 26-të të Liderëve ASEAN – Kinë, Japoni dhe Kore e Jugut (10+3), që u zhvillua të mërkurën në kryeqytetin indonezian Xhakartë.