Kina shpall masat kundër vizitës së Pelosit në Tajvan

TË FUNDIT

Autoritetet kineze kanë njoftuar një sërë kundërmasash ndaj ShBA-së pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në rajonin e Tajvanit, që sipas analistëve, do të acarojë tensionet në ngushticën e Tajvanit dhe do të përkeqësojë më tej marrëdhëniet kino-amerikane.

Masat përfshijnë anulimin e dialogëve në nivel komandantësh zonash midis dy ushtrive, takimet në nivel pune midis ministrive të mbrojtjes dhe një skemë konsultimi mbi sigurinë ushtarake detare.

Kina ka pezulluar negociatat për ndryshimin e klimës dhe bashkëpunimin dypalësh për riatdhesimin e imigrantëve të paligjshëm, ndihmën gjyqësore dhe luftën ndaj krimeve transnacionale dhe narkotikëve.

Gjithashtu, Kina ka vendosur edhe sanksione kundër kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, dhe rrethit të saj të ngushtë familjar.

Kina zhvilloi  një sërë manovrash të përbashkëta detare e ajrore rreth ishullit të Tajvanit, si reagim ndaj vizitës  të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në rajonin e Tajvanit të Kinës, që konsiderohet si një veprim i pamatur dhe provokues.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve “Xinhua” publikoi një njoftim të autorizuar, ku thuhet që Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës do të zhvillojë manovra ushtarake me municion luftarak nga 4 deri më 7 gusht në gjashtë zona të ndryshme përqark ishullit të Tajvanit nga të gjitha drejtimet.

Të enjten pasdite Ushtria Çlirimtare Popullore lëshoi në ujërat në lindje të Tajvanit disa raketa balistike,, kurse forcat raketore në pika të shumta në pjesën kontinentale lëshuan disa lloje raketash me mbushje konvencionale në ujërat e përcaktuara në brigjet lindore të Tajvanit.

Pjesa kontinentale e Kinës ka pezulluar importet e disa agrumeve, peshkut-shirit me vija të bardha të ftohtë dhe skumbrit të ngrirë nga rajoni i Tajvanit duke filluar nga 3 gushti për të parandaluar rreziqet, njoftoi  Administrata e Përgjithshme e Doganave. Çdo vit, 45 për qind e eksportit të frutave të Tajvanit bëhet në pjesën kontinentale të Kinës. Ndërkohë, janë pezulluar edhe eksportet e rërës natyrore në Tajvan nga 3 gushti, sipas Ministrisë së Tregtisë të Kinës. Masa bazohet në dispozitat e ligjit përkatës, bëri të ditur ministria.

Pekini ka njoftuar gjithashtu anulimin e një takimi ndërmjet ministrave të jashtëm të Kinës e Japonisë në Kamboxhia, ku të dy kryediplomatët ndodhen për të marrë pjesë në një varg veprimtarish të ASEAN-it.

Pas Tajvanit, Pelosi vizitoi Korenë e Jugut dhe Japoninë, si pjesë e turneut të saj aziatik, në kuadër të të cilit ajo shkoi edhe në Singapor e Malajzi.