Kina drejt marrëveshjeve të reja të tregtisë së lirë

TË FUNDIT

Kina është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje të tregtisë së lirë me partnerë të rinj për të liberalizuar dhe lehtësuar tregtinë dhe investimet. Kështu deklaroi në një konferencë për shtyp Gao Feng, zëdhënësi i Ministrisë Kineze të Tregtisë, citon “Xinhua”.

Vendi, -tha Gao, -do të vazhdojë të zgjerojë shtrirjen e rrjetit të tij të tregtisë së lirë dhe të përmirësojë nivelin e marrëveshjeve, për të krijuar lidhje efektive mes tregjeve të brendshme dhe të huaja dhe për të përfituar sa më shumë nga burimet e tyre.

Sipas Gao, Kina do të përshpejtojë negociatat mbi marrëveshjen trepalëshe të tregtisë së lirë me Japoninë dhe Republikën e Koresë dhe do të lehtësojë bisedimet për marrëveshje të ngjashme me vendet e Gjirit, Norvegjinë dhe Izraelin.

Sipas zyrtarit kinez, vendi do të eksperimentojë në mënyrë aktive me një sërë rregullash të tregtisë së lirë që jo vetëm të përputhen me ligjet mbizotëruese ndërkombëtare, por dhe të plotësojnë kërkesat e Kinës për reforma dhe zhvillim, për t’u hapur edhe më shumë për pjesën tjetër të botës.