Ekonomitë digjitale të Kinës dhe vendeve që formojnë Shoqatën e Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) potencialisht do të kenë një vlerë të kombinuar prej 9.58 trilionë dollarësh deri në vitin 2025, një perspektivë që përbën bazën për bashkëpunimin në të ardhmen. Kjo del nga letra e bardhë e botuar në samitin e katërt “Digital China”, të mbajtur të diel e të hënë në Fuzhou, në Kinën lindore, raporton “Xinhua”.
Sipas dokumentit, ekonomia digjitale e Kinës është rritur me një normë mesatare vjetore prej më shumë se 17% që nga viti 2016, ndërsa për Asean norma ka tejkaluar 34%.
Letra e bardhë, e shkruar nga një qendër kërkimore industriale e sigurisë kibernetike dhe e mbikëqyrur nga Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, thotë se “ky vit do të shënojë një fillim të ri për bashkëpunimin Kinë-Azi në ekonominë digjitale”. Të dyja palët do të zbatojnë një plan veprimi bashkëpunues për periudhën 2021-2025.
Fushat kryesore të bashkëpunimit midis Kinës dhe ASEAN në vitet e fundit përfshijnë qytete inteligjente, tregtinë elektronike dhe menaxhimin e hapësirës kibernetike. Tregu digjital në Kinë dhe ASEAN ka një potencial të jashtëzakonshëm të konsumit, pasi popullsia e tyre totale e internetit u afrua me 1.49 miliardë në vitin 2020.
