Kina dhe Filipinet, bisedime për trajtimin e sfidave

TË FUNDIT

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua me homologun e tij filipinas Enrique Manalo në Vientiane të Laosit. Takimi, i cili u zhvillua në mes të tensioneve të përshkallëzuara për Detin e Kinës Jugore, synoi trajtimin e sfidave të rëndësishme me të cilat po përballen aktualisht marrëdhëniet Kinë-Filipine.

Wang, theksoi rëndësinë e fqinjësisë së mirë, përfitimit reciprok dhe zhvillimit të përbashkët midis dy fqinjëve të ngushtë. Ai tha se këto parime përputhen me interesat themelore të të dy vendeve.

Ai vuri në dukje se vitet e fundit ruajtja e marrëdhënieve të mira midis Kinës dhe Filipineve arrihej vështirë, por prishej lehtë. Sipas tij, tensionet aktuale janë pasojë e shkeljeve të përsëritura nga Filipinet të konsensusit dypalësh, të angazhimeve të veta, si dhe shkeljeve në Detin e Kinës Jugore dhe spekulimeve mediatike të palës filipinase.

Wang shprehu shqetësimin e thellë të Kinës dhe kundërshtimin e vendosur ndaj këtyre veprimeve. 

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, Wang përmendi një marrëveshje të përkohshme të arritur me Filipinet, në lidhje me dërgimin e furnizimeve humanitare për stafin filipinas, që jeton në një anije të ankoruar ilegalisht në gumën Ren’ai të Kinës. Ai theksoi rëndësinë që Filipinet të përmbushin angazhimet e tyre dhe të shmangin veprimet që ndërlikojnë situatën. Wang theksoi se Kina do të përgjigjet me vendosmëri, nëse këto angazhime nuk do të përmbushen.

Ministri i Jashtëm i Filipineve Manalo pranoi historinë e gjatë të miqësisë tradicionale midis Filipineve dhe Kinës. Ai vuri në dukje se pavarësisht vështirësive dhe sfidave në çështjet detare, Filipinet janë të përkushtuara për të zbutur tensionet përmes dialogut, konsultimit dhe trajtimin konstruktiv të mosmarrëveshjeve. Manalo nënvizoi takimin e fundit të mekanizmit dypalësh të konsultimit për çështjen e Detit të Kinës Jugore, ku të dyja palët arritën një marrëveshje për menaxhimin e situatës detare. Kjo marrëveshje tregon vullnet të mirë nga të dyja palët, pa ndikuar në pozicionet e tyre përkatëse, sipas tij.

Ai shprehu gatishmërinë e Filipineve për të zbatuar këto konsensuse. Gjithashtu vuri në dukje se viti i ardhshëm shënon 50 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Filipineve dhe Kinës. Në dritën e këtij momenti historik, Filipinet angazhohen për forcimin e komunikimit, rritjen e besimit të ndërsjelltë dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Kinën.