KF Bashkimi siguron balotazhin me fitore dramatike – “Një ëndërr e përbashkët po bëhet realitet”

TË FUNDIT

KF Bashkimi vazhdon të shkruajë historinë! Me fitore dramatike 3:2 ndaj ekipit të Detonit Plaskovicës, skuadra nga Kumanova ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në balotazh, një javë para përfundimit të kampionatit.

Atmosfera në stadium ishte elektrizuese, me tifozët ILIRË që krijuan një përkrahje të jashtëzakonshme, e cila shtyu ekipin drejt suksesit. Klubi falënderoi publikisht mbështetësit e zjarrtë:
“Faleminderit nga zemra tifozëve më të flaktë – ILIRËVE! Faleminderit publikut të mrekullueshëm të Kumanovës që ishin në numër rekord dhe krijuan një atmosferë që shumëkush vetëm mund ta ëndërrojë!”

KF Bashkimi tani ka vetëm 4 pikë më pak se lideri FK Makedonija Gj.P. dhe 2 pikë më pak se KF Arsimi. Megjithatë, gara për pozitat e para mbetet e hapur, pasi ndeshja e fundit e Bashkimit ndaj KF Kozhufit ende nuk është llogaritur zyrtarisht +3 pikë për ekipin kumanovar pasi është nën hetim për dyshime për trukim.

Në fund të deklaratës, klubi dërgoi një mesazh shprese dhe vendosmërie:
“Sot nuk ishte thjesht një ndeshje… ishte një ëndërr e përbashkët. Bashkimi nuk do të ndalet me kaq. Së shpejti BASHKIMIN do e shihni aty ku e ka vendin!”

Me këtë fitore dhe një qytet të tërë pas vetes, KF Bashkimi është më i motivuar se kurrë për të vazhduar drejt elitës së futbollit vendor.