Deri në fund të vitit mund të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën, është sihariqi që sekretarja shtetërore e Gjermanisë, Ana Lurman, e ndau në intervistë për Televizionin 21.
Gazetari: E përmendët liberalizimin e vizave për Kosovën. Do të bëhet së shpejti?
Ana Lurman: Po.
Gazetari: Kur?
Ana Lurman: Shumë shpejt.
Gazetari: Mirë.
Ana Lurman: Të jem më precize. Këtë vit.
Lurman theksoi se sërish e kanë nisur Procesin e Berlinit, i cili do të ndihmojë në integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor. Paralajmëroi se shumë shpejtë procesi i Berlinit do të jetë më aktiv dhe më efikas dhe për këtë ka plan.
“Plani është që të kemi takim-samit të liderëve të rajonit në Berlin në nëntor. Ky samit po përgatitet, do të ketë edhe konsultime me ministrat e punëve të jashtme dhe ministrat për punë të brendshme. Shpresojmë që në samit të arrihen dy gjëra. Njëra është që të kemi debat të mirë dhe, shpresoj, edhe përparim rreth tregut rajonal. Dhe e dyta, përparim rreth agjendës së gjelbër, sepse siç thash më herët, po investojmë shumë në infrastrukturën e gjelbër këtu në rajon. E treta që lidhet me këtë, është siguria energjetike“, theksoi Ana Lurman, sekretare shtetërore e Gjermanisë.
Sekretarja gjermane e shtetit tha se Gjermania ka interes të madh për Ballkanin Perëndimor, ndërsa sipas saj këtë gjë e dëshmon fakti se e përmendin si temë të rëndësishme në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë aktuale, ndërsa kanë emëruar edhe emisar për Ballkanin Perëndimor. Lurman thotë se shtetet e rajonit tashmë janë pjesë e familjes europiane, ndërsa duhet të bëhen edhe vende anëtare të BE-së.
