Keshilli i Qytetit të Shkupit ndan 250 mijë euro për skuadrën e Vardarit/ Reagon drejtori i FC Shkupit, Omer Bunjaku

TË FUNDIT

Me propozim të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, sot Këshilli i Qytetit të Shkupit ka miratuar ndihmën financiare prej 250 mijë eurove për Klubin e Futbollit “Vardari”. Ndihma financiare është miratuar me arsyetimin se klubi është në borxhe të mëdha dhe nuk mund t’i mbulojë harxhimet për sezonin aktual futbollistik.

Ndërsa kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka qenë kundër këtij vendimi të Këshillit.

Po ashtu, kundër këtij vendimi është edhe drejtori sportiv i klubit të FC Shkupit, Omer Bunjaku, ku nëpërmjet një statusi në fejsbuku shkruan se Këshilli i Qytetit të Shkupit me këtë veprim si duket po harron se nuk ka të drejtë të bëjë ndarje mes klubeve duke qenë se nga qyteti i Shkupit garojnë 4 skuadra, ndërsa fonde publike po merr vetëm Vardari.

Ai shton se në vendin tonë është bërë e detyrushme që të gjitha klubet të kalojnë në shoqëri aksionare dhe me këtë “Vardari” nuk ka të drejtë të marrë fonde publike nga taksapaguesit e qytetit të Shkupit.

Statusi i plotë i drejtorit sportiv FC Shkupi, Omer Bunjaku:

Ka tani sa vite që në vendin tonë është bërë e obligueshme që të gjitha klubet të kalojnë në Shoqëri Akcionare, që do të thotë do të kenë sponsorët e tyre, duke përfshirë këtu edhe disa mënyra të tjera që vijnë si ndihmë nga vetë shteti.
Por duke mos dashur shumë të merrem me temën, e Shoqërive Aksionare,këshilli i Qyteti të Shkupit si duket po harron se nuk ka të drejtë të bëjë ndarje mes klubeve.
E them këtë, se në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, vetëm nga qyteti i Shkupit, për momentin garojmë katër klube, FC Shkupi, FC Makedonija Gj.P., Rabotniçki dhe Skopje, ndërsa pikërisht këshilli i qyteti të Shkupit, me dorzimin e amandmanit nga ana e këshilltarëve te VMRO dhe një pjes e këshilltarëve të SDSM ka vendosur që me 15.000.000 den të ndihmojë klubin e Vardarit, që po garon në Ligën e Dytë, ndërsa po ky klub tani më nuk është i qytetit, por është në pronësi private.
Vallë a kanë harruar të zgjedhurit e popullit në kuvendin e qytetit (në përjashtim të shqiptarëve, të cilët nuk e kanë mbështetur), se jo të gjithë shkupjanët e duan Vardarin dhe se nuk duan që parat nga taksat e tyre të shkojnë në klubin që fare nuk ka të bëjë me ta.
As unë që i paguaj taksat, nuk dua që të sponsorizoj dhe financoj klubin e Vardarit, hiq më pak kur edhe ne si klub që garojmë në Ligën e Parë kemi nevojë të madhe që të ndihmohemi nga buxheti i qytetit, arkën e të cilit e mbushin edhe me parat tona.
Është koha e fundit, që te përzgjedhurit e popullit në qyteti të mos bëhet për dikë nënë e për dikë njerkë, të gjithë të mundohen dhe të kryejnë obligimet sipas posteve që kanë marrë. Në fakt me këtë, këshilltarët e VMRO dhe një pjes e këshilltarëve të SDSM me këtë akt, nuk po e ndihmon klubin e Vardarit, por drejtpërdrejt pronarët e rinj të tij.