Ministria e Drejtësisë së shpejti do të dërgojë shkresë deri te Këshilli i Prokurorëve, pasi që Qeveria e filloi procedurën për shkarkimin e kryeprokurorit Lupço Kocevski. Këshilli ka afat prej 15 ditëve për të dhënë mendim pozitiv apo negativ për këtë propozim.
“Kur do të dorëzohet propozimi, do të prononcohemi”, tha Dushica Dimitrieska, kryetare e Këshillit të Prokurorëve Publik.
Nga Qeveria theksuan se Kocevski në mënyrë joligjore e ka vendosur prokuroren Natasha Kollevska Calleva si u.d. shefe e Prokurorisë së lartë publike. Kjo vijon pasi që Mustafa Hajrullahi u suspendua nga ky post. Kocevski u përgjigj se vendimi i tij është ligjor dhe se ai nuk ka vendosur u.d. siç pohon Qeveria, por udhëheqës të përkohshëm.
“Nga ajo që pata mundësi të lexoj nëpër media, arsyeja për vendimin e Qeverisë ka qenë se nuk është ligjore, siç pretendojë, zgjedhja e udhëheqësit të Prokurorisë së lartë publike Shkup. Besoj se Qeveria nuk i ka pasur në dispozicion të gjitha informacionet relevante dhe të sakta”, theksoi Lupço Kovevski, prokuror shtetëror.
Vendimin e Kocevskit e mbështeti edhe Këshilli i cili duhet të debatojë për shkarkimin e tij.
“Ka bazë ligjore për sjelljen e vendimit të tillë. Ajo Prokurori duhet të ketë prokuror publik i cili do të udhëheq, patjetër të ketë nënshkrues”, pohoi Dushica Dimitrieska, kryetare e Këshillit të Prokurorëve Publik.
Përveç për ndodhitë në Prokurorinë e lartë, nga Qeveria theksuan se janë të dëshpëruar nga veprimi i Prokurorit publik jashtë kompetencave ligjore, ndërsa të zhgënjyer janë edhe qytetarët nga sistemi i cili nuk po funksionon. Shtojnë se në Indeksin e fundit për transparencë katër pikë kanë të bëjnë me ngjarjet të cilat kanë ndodhur në Prokurori dhe Gjyqësor.
Përndryshe, kryeprokurori mund shkarkohet nga Kuvendi me 61 vota. Deri më tani në këtë mënyrë nga funksioni u shkarkua vetëm Marko Zvërleski në vitin 2017.
