Afera e përgjimeve në Maqedoni e aktualizon pyetjen se nëse ky rast do të hetohet deri në fund, tha Prodekani i Fakultetit për Siguri pranë Universitetit të Beogradit, Zhelimir Keshetoviq. Sipas tij, në rajon ka pasur shumë afera të hapura, mirëpo asnjëra nga to nuk është zgjidhur deri në fund.
“Në shtetet tona ka shumë hapësira që të punohet në këtë aspekt. Në Angli një rast i tillë, është shumë vështirë të lihet, në rast se ndodhë një aferë sikur kjo me përgjimet. Në rast se kemi një rast të tillë , atëherë formohet komision anketues dhe bëhet hetim i plotë deri në zbardhjen e tij. Mirëpo unë kam frikë se shtetet tona nuk kanë kapacitet që të kryejnë hetim të plotë deri në zbardhjen e plotë të rastit. Janë hapur shumë afera, mirëpo asnjëra nuk hetohet deri në fund, dhe me siguri edhe ky rast do të ketë fatin e njejtë”, tha Zhelimir Koshteviq.
Sipas Keshetoviq, qytetarët nuk duhet të druhen nëse janë të përgjuar dhe se përgjegjësinë për të mbrojtur qytetarët e ka Kontrolli Civil.
Profesori bëri një analizë të shkurtër për komentet e djeshme të gazetës greke “Kathimerini”, ku shkruhej se kryeministri grek Aleksis Cipras nuk dëshiron që të bashkëpunojë me Maqedoninë për shkëmbimin e informatave për krizën e refugjatëve.
Keshetoviq këtë sjellje të Cipras e cilëson si shumë të keqe.
“Kjo gjë është shumë e keqe, duhet të bisedohet rreth kësaj, thjeshtë një kryeministër nuk ka të drejtë që të sillet si një fëmijë i ofenduar. Posaçërisht kur bëhet fjalë për çështje serioze. Kjo është një taktikë shumë e keqe. Duhet të bisedohet dhe të jetë i hapur për propozime dhe të ketë mirëkuptim për palën tjetër”.
Sipas Keshetoviq, kur bëhet fjalë për çështjen lidhur me kontestin shumëvjeçar të emrit mes dy shteteve nuk ka vend për kompromis.
“Këtu nuk ka vend për kompromis. Greqia nëse ka qëllime të sinqerta dhe nëse angazhohet për vlera evropiane duhet të ketë më shumë mirëkuptim për Maqedoninë. Unë mendoj që zgjidhja e vetme që të zgjidhim pyetjet e hapura, është që i gjithë Ballkani Perëndimorë të integrohet në Bashkimin Evropian”.
Profesori universitar Keshetoviq theksoi se vetëm kështu të gjitha konfliktet në Ballkanin Perëndimorë do të ishin më pak të rëndësishëm.
