Ministri i ri për Transport dhe Lidhje, Aleksandar Nikolloski, duke folur për Raportin e Entit të Revizionit për investimet kapitale, i bëri thirrje prokurorisë që ta hetojë punën e Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore” dhe ndërmarrjen “Hekurudha – Infrastrukturë”.
“Në lidhje me hekurudhën për në Bullgari dua sot ta hap pyetjen më të madhe dhe thelbësore?! Ajo është faza e tretë e Korridorit 8 sipas marrëveshjes bilaterale mes Bashkimit Europian dhe Republikës së Maqedonisë përqindja e vlerës është 340 milionë euro. Po e përsëris sipas marrëveshjes bilaterale përmes Bashkimit Europian dhe Maqedonisë është 340 milionë euro. Vetë revizioni shtetëror konstaton se vlera është rritur 560 milionë euro”, u shpreh Aleksandar Nikollovski – Ministër për Transport dhe Lidhje.
Sipas raportit të ESHR-së, për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10d me gjatësi 108 km, për të cilën është kontraktuar kompania “Bechtel dhe Enka”, pasi u miratua një ligj i veçantë që rregullonte kushtet dhe mënyrën e ndërtimit, revizioni nuk mundi të konfirmonte vlerën e parashikuar prej 1.3 miliardë eurosh. Për këtë Nikolloski paralajmëroi se pas ndryshimit të kryesisë në Ndërmarrjet Rrugët Shtetërore, do të kërkojë deklasifikimin e Marrëveshjes për korridoret 8 dhe 10D.
Nga ana tjetër, sipas Nikollovskit, duke cituar raportin, situata me autostradën 10 kilometra e gjysmë nga Shkupi deri në kufirin me Kosovën, që nuk ka filluar dhe është planifikuar prej vitesh, nga vlera prej 112 milionë euro është rritur në 198 milionë euro. Kjo do të thotë se një kilometër do të kushtojë gati 20 milionë euro.
Nga projektet për mjedisin jetësor, sipas revizionit, më i kushtueshëm është ndërtimi i Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza të Qytetit të Shkupit. Janë siguruar 196 milionë euro, ndërsa nga BE-ja janë ndarë 69.7 milionë euro.
“Edhe pse janë siguruar mjete për këtë projekt, përgatitja e këtij projekti ka filluar në vitin 2007, ndërsa në vitin 2014 është përmirësuar dhe përditësuar studimi i fizibilitetit për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në qytetin e Shkupit, por edhe pas dhjetë vjetësh projekti nuk është gati për realizim fizik”, thonë nga Enti Shtetëror për Revizion.
Për projektet në fushën e shëndetësisë, sipas ESHR, ndërtimi i Qendrës Klinike të Shkupit dhe Spitalit Rajonal të Shtipit janë anuluar për shkak të ndërprerjes së kontratave për kredi dhe ndërtim. Për të dy projektet, arbitrazhi është iniciuar nga kontraktorët për një total prej 45,5 milionë euro.
