Kërkohet unifikimi i arsimit mbarëshqiptar

TË FUNDIT

Kosova dhe Shqipëria do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të unifikuar arsimin në dy vendet por kërkohet që shqiptarët kudo që janë të thyejnë kufirin në fushën e arsimit.

Kështu u tha në takimin e përbashkët të dy komisioneve parlamentare për arsim, shkencë e kulturë që u zhvillua në Kosovë. Më tej u tha se marrëveshjet e arritura që nga viti 2006 e së këndejmi duhet të jenë në fokusin e këtyre komisioneve për tu monitoruar dhe vëzhguar për atë se sa po gjejnë zbatim në praktik.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë , Tekonoligji, Kulturë, Rini dhe Sport Nait Hasani, ka thënë se takimi ishte i frytshëm dhe se pret që marrëveshja e 23 marsit që është nënshkruar në Tiran nga dy qeveritë për unifikimin e arsimit në mes dy shteteve të realizohet, për çka premtoj angazhim të këtyre dy komisioneve.

Ndërsa kryetari i komisionit parlamentar për Arsim dhe Medie i Kuvendit të Shqipërisë, Genc Pollo ka thënë se duhet përcjell ndikimi që këto marrëveshje kanë në jetën e nxënësve dhe studentëve të të dyja shteteve.

Ai më tej theksoi se edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës , duhet të inkorporohen në këto marrëveshje.

E për të treguar gjendjen e arsimit në luginë, ishte ftuar kryetari i Preshevës, Jonuz Musliu, i cili ka njoftuar anëtarët e të dyja komisioneve parlamentare, lidhur me gjendjen e renduar të arsimit në këtë vend, për çka tha se që nga viti 1974 planprogramet dhe librat shkollor nuk janë rifreskuar.

Musliu ndër të tjera kërkoi angazhim më të shtuar të të dyja vendeve për shqiptarët e kësaj pjese.

Ndryshe komisioni parlamentar për Arsim dhe Medie i Shqipërisë, në këtë vizitë zyrtare që po i bën Kosovës, gjatë ditës pritet të ketë edhe aktivitete të tjera.