Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës po lobojnë në Shtetet e Bashkuara që ta vendosin çështjen e komunave në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në agjendën e Kombeve të Bashkuara.
Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Më herët, një media lokale në Bujanoc, raportoi se përfaqësuesit e shqiptarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci janë takuar në Nju Jork me ambasadorin e Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, dhe pas këtij takimi është thënë se çështja e Luginës së Preshevës do të trajtohet në OKB.
Më 1 qershor, për herë të parë Shqipëria mori kryesimin njëmujor të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kryetari i Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, tha për Radion Evropa e Lirë se përfaqësuesit e komunitetit shqiptar që jeton në jug të Serbisë, janë duke kërkuar se në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet problemi i Luginës së Preshevës.
“Ajo që kërkohet është që të mos ketë normalizim të marrëdhënieve derisa Lugina të jetë në agjendën e zgjidhjes së problemeve në Ballkanin Perëndimor”, tha Mustafi, duke shtuar:
“Kjo do të thotë se përveç zgjidhjes së çështjes së pakicave kombëtare në Ballkanin Perëndimor përmes normalizimit të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, duhet të ketë standarde uniforme për trajtimin e pakicave kombëtare”.
Mediat në Bujanoc raportojnë se kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kreu i Partisë për Veprim Demokratik, zyrtarja e kësaj partie, Ardita Sinani, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, Ragmi Mustafa, kanë udhëtuar për në selinë e OKB-së që gjendet në Nju Jork.
Pas takimit me ambasadorin Hoxha të dielën, Arifi tha se e kanë informuar ambasadorin shqiptar për “situatën politike në Luginë dhe problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Serbi”.
Më 5 qershor, Ardita Sinani postoi në Facebook fotografi të delegacionit të përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Luginës në takimin me ambasadorin shqiptar në OKB, Ferit Hoxha, duke shtuar se “çështja e Luginës së Preshevës tashmë do të shtrohet në OKB”.
“Përfshirja e Luginës së Preshevës në organizatën më gjithëpërfshirëse ndërkombëtare është tejet me rëndësi për ta shpërfaqur të vërtetën e gjendjes dhe pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha ajo.
Nga Bujanoci theksohet se delegacioni nga komunat në jug të Serbisë do të ketë takime me përfaqësuesit e administratës amerikane dhe diasporës shqiptare.
Kjo nuk është hera e parë që përfaqësuesit e shqiptarëve në tri komunat në jug të Serbisë, që njihen me termin Lugina e Preshevës, kërkojnë që në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të përfshihet edhe statusi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi.
Në korrik të vitit 2018, përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës miratuan një deklaratë përmes së cilës u kërkonin zyrtarëve të Serbisë, Kosovës dhe Bashkimit Evropian që të përfshihej në procesin e negociatave, por edhe në dokumentin përfundimtar të marrëveshjes së Brukselit, statusin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Megjithatë, zyrtarët serbë thonë se çështjet e vetëqeverisjes lokale në komunat në jug të Serbisë, nuk mund të trajtohen në kontekstin e negociatave të Brukselit.
Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia kanë nisur procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Aktualisht, bartës të dialogut në nivel politik janë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq po ashtu zhvillohen diskutime për çështje teknike në nivel të kryenegociatorëve.
