Kërkohet paraburgim edhe për një protestues të “Monstrës”

TË FUNDIT

Prokuroria Publike e Shkupit ka njoftuar se ka kërkuar paraburgim edhe për një protestues të rastit “Monstra”, i cili siç thonë, “më 26 shkurt mori pjesë në turmën që sulmuan policët”.

Paraburgimin e kërkon mbi bazën se protestuesi, 21-vjeçar ka kryer veprën penale – Pjesëmarrje në turmë e cila ka kryer vepër penale që dënohet me nenin 385 të Kodit Penal dhe dyshimit se i njëjti mund të arratiset dhe ta përsërisë veprën.

“I dyshuari, i moshës 21-vjeçare, më 26 shkurt ka marrë pjesë në tubim publik të qytetarëve në Shkup – protestë për aktvendimin në rastin “Monstra”. Më pas, ai ka qenë pjesë e turmës që bashkërisht kanë kryer dhunë ndaj nëpunësve policorë dhe personave të tjerë të pranishëm. I dyshuari dhe më shumë persona kanë filluar të veprojnë bashkërisht ndaj policëve duke gjuajtur gurë, pllaka bekatoni, shufra metalike dhe mjete të tjera, në përpjekje që të shpërndajnë kordonin policore”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e Prokurorisë, transmeton TV21.

Nga atje shtojnë, se me këtë paraburgim ndaj 21-vjeçarit, bëhen gjithsej 6 paraburgime për protestuesit e 26 shkurtit.

Ndërkaq dje u njoftua se janë kryer 12 arrestime dhe janë shqiptuar 2 padi penale ndaj protestuesve për rastin “Monstra”. Siç bëjnë të ditur nga Prokuroria, paditë penale janë parashtruar ndaj një 19-vjeçari dhe 22-vjeçari, ndërkaq pritet të parashtrohen edhe ndaj tre të tjerëve, njëri i moshës 23-vjeçare dhe dy të moshës 20-vjeçare pasi të njëjtit janë identifikuar tashmë se kanë kryer veprën e njëjtë penale.

Protesta e 26 shkurtit u mbajt për të shprehur revoltën për aktvendimin në rastin “Monstra”, ndërkaq u dërgua mesazh se shqiptarët duan rikualifikim edhe të rasteve tjera, siç thanë, “të montuara” sikurse “Almiri 4-vjeçar” dhe “Alfa”.

Arrestimet dhe paraburgimet po bëhen për shkak se protesta eskaloi, pasi kordoni policor pengoi marshin protestues, e ndërkaq këta të fundit në shenjë revolte sulmuan policë me gurë dhe shufra metalike./TV21

TË NGJAJSHME