Kërkohet ndërprerja e lëndës "Titanik"

TË FUNDIT

Avokati Dimitar Dangov, mbrojtës i disa të akuzuarve në lëndën “Titanik” të Prokurorisë Publike Speciale, kërkoi sot nga trupi gjykues që të ndërpritet gjykimi i kësaj lënde, e këtë e lidhi me skandalin “Reket”, ku e dyshuar është edhe shefja e Speciales Katica Janeva që po qëndron në paraburgim.

“Është në paraburgim sepse ka rrezik ta përsërisë veprën penale, madje edhe për lëndën e sotme. Katica Janeva është e vetmja kompetente që përfaqëson lëndët nga Specialja. Me gjithë respektin që kam për Prokuroren Lile Stefanova, dua të them se e njejta s’ka më të drejtë ta përfaqësojë këtë lëndë, për shkak të masës paraburgim ndaj Katica Janevës. Ju propozoj që të ndërpritet seanca kryesore, sepse në këtë lëndë dhe të tjerat që i përfaqësonte Katica Janeva, tani pas paraburgimit, ka pengesë që kjo të vazhdojë” tha Dangov, përcjell TV21.

Edhe i akuzuari Ilia Dimovski tha se e mbështet propozimin e avokatit Dangov, ndërsa shprehu dyshimet e tij edhe lëndë të tjera të PPS-së mund të jenë të manipuluara dhe se biznesmenë e politikanë mund të jenë reketuar.

“Që të shmangen të gjitha pasojat, unë propozoj që gjykata të sjellë vendim të ndërpresë seancën kryesore deri në mbarimin e procesit dhe vendimet e Këshillit të Prokurorëve dhe Kuvendit për PPS-në” tha deputeti Dimovski.

Pas këtyre kërkesave Gjykatësi Osman Shabani dha pauzë 30 minutëshe. Prokurore e lëndës “Titanik” është Lile Stefanova nga Prokuroria Publike Speciale.