Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka kërkuar nga organet e rendit që ta lirojnë nga ndalimi prej 48 orësh mjekun nga Podujeva Ibrahim Hotin.
“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës e indinjuar thellë pas arrestimit të mjekut të respektuar nga Podujeva Dr. Ibrahim Hoti kërkon nga organet e rendit që ta lirojnë të njëjtin nga ndalimi prej 48 orësh pas një video inqizimi të publikuar në mediume. Është për të ardhur keq se si trajtohen në mënyrë më të keqe të mundshme mantelbardhët, të cilët tashmë janë të stërlodhur”, thuhet në reagimin e FSSHK-së.
FSSHK kërkon lirimin e menjëhershëm dhe ndjekjen e procedurave për ndriçimin e ngjarjes. “Po ju rikujtojmë se Dr. Ibrahim Hoti nuk është kriminel dhe nuk paraqet rrezik për shoqërinë,përkundrazi gjatë gjithë kohës së Pandemisë COVID-19 ka shërbyer në mënyrë të ndershme dhe me profesionalizëm, për aq sa ka pasur mundësi.
FSSHK është në përkrahje të plotë të punëtorëve shëndetësor në QKMF-Podujevë dhe veprimeve të tyre sindikale, por kërkon që edhe ata të cilët kanë marr vendime të tilla të japin arsyet e tyre”, thuhet tutje në reagimin FSSHK-së.
Mjeku nga Podujeva Ibrahim Hoti është suspenduar nga puna dhe ndaluar nga Policia, pasi kishte refuzuar t’u ofrojë shërbime pacientëve pas orarit të punës./21Media
