Një shtetas i Maqedonisë së Veriut i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar sot është arrestuar në vendkalimin kufitar në Qafë Thanë në kufirin me Shqipërinë afër Strugës.
Sipas policisë shqiptare, bëhet fjalë për personin F.V (39) nga fshati Veleshtë-Strugë pas të cilit fletarrest kishin shpallur autoritetet braziliane për shkak të tregtisë me drogë.
“Pjesëtarët e stacionit policor kufitar Qafë Thanë si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes Interpolit Tiranë gjatë hyrjes në Republikën e Shqipërisë kanë mundësuar arrestimin për ekstradim në Brazil të personit F.V (39), banor i fshatit Veleshtë- Strugë, Maqedoni e Veriut”, thuhet në kumtesën e policisë.
Shtohet se Gjykata federale penale në Rio de Zhaneiro më 27 nëntor të vitit 2019 ka lëshuar urdhër për arrestimin e personit F.V për vepër penale “trafikim me lëndë narkotike”.
Aktivitetet procedurale janë zbatuar nga ana e personave zyrtarë për hetim të krimit nga Komisariati policor në Pogradec, derisa Interpoli i Tiranës i ndjek procedurat për ekstradimin e tij në Brazil, qëndron mes tjerash në kumtesë.
