Ministri i ri për Marrëdhënie mes Komuniteteve, ka filluar të publikojë me emër dhe mbiemër listën e të punësuarve në resorin që udhëheqë, e për të cilët pohon se kanë keqpërdorur përkatësinë etnike, gjegjësisht balancuesin gjatë punësimit. Sipas statistikave zyrtare që posedon ministri, thotë se 56% e të punësuarve janë shqiptarë, dhe 33% janë maqedonas. Ai ne Kanal 5 theksoi se këto shifra nuk janë reale. Nga punësimi i fundit, njofton se 99 shqiptarë janë deklaruar si maqedonas.
“Në Ministri janë të punësuar 56% shqiptarë dhe 33% maqedonas. Të tjerat nuk janë as për t’u përmendur.
A është ky numri real? Megjithatë, kur bëni mbikqyrje në dokumente mund të konstatohet se nga 294 të punësuar, vetëm 5 janë maqedonas”, tha Stollkoviq.
Stoillkoviq tregon se një i punësuar shqiptar madje është deklaruar si serb.
“Madje shihni ka edhe një Veton Ramadani i cili është prononcuar madje edhe si serb”, u shpreh Stollkoviq.
I pyetur për këto keqpërdorime gjatë punësimeve, kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, tha se kanë patur informacione për manipulime dhe për punësime fiktive në atë ministri por paralajmëron se nuk do të tolerohet në të ardhmen që dikush të marrë rrogë dhe të mos shkojë në punë.
“Ne e dimë që aty ka patur manipulime, ne e dimë që aty ka patur punësime fiktive të cilët kanë marrë rroga dhe nuk kanë shkuar në punë. E dimë gjithashtu që Qeveria solli një vendim që të gjithë këta të punësuar nga Ministria, më herët sekretariati të transferohen nëpër institucione. Një pjesë e tyre janë transferuar, një pjesë ende nuk janë transferuar. Atë që e kemi pasur si qasje në komunën e Tetovës, ne kemi qasje edhe në pushtetin qendror. Nuk do të tolerojmë që dikush të marrë rrogë dhe mos shkojë në punë”, deklaroi kasami.
Përndryshe ministri Stoillkoviq paralajmëroi se do të bëjë një regjistrim të brendshëm të të gjithë të punësuarve por pasi t’u përfundojë kontrata më 31 dhjetor 2024.
Sa i përket punësimeve në bazë të kombësisë, Qeveria e re ka paralajmëruar se do të shfuqizojë tërësisht balancuesin ndërsa krerët e koalicionit VLEN këtë e kanë arsyetuar se e njejta do të shndërrohet në ligj, me çka funksionarët që do të keqpërdorin punësimet, do të ndëshkohen sipas ligjit.