Kejt Bërns: Bashkë do t’i ecim rrugët drejtë së ardhmes më të mirë

TË FUNDIT

Ambasadorja e re amerikane në Shkup Kejt Bërns në një video paraqitje para marrjes së detyrës porosit se është e nderuar që do t’a përfaqësojë SHBA-në dhe se do të punojë në përforcimin e lidhjeve mes të dy shteteve dhe integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE.

Në video porosinë e përbashkët me bashkëshortin e saj Skot Gejxh, theksojnë edhe se me padurim presin që t’i vizitojnë lokalitetet e njohura në vend, të mësojnë për historinë kulturore të pasur dhe të shumëllojshme.

Kejt Meri Bërns pas konfirmimit të emërimit të saj, muajin e kaluar dha betimin solemn si ambasadore e SHBA-së në Maqedoni.

Bërns vjen nga Athina ku e kryente funksionin e zëvendës ambasadorit të SHBA-së në Greqi.

Më herët ajo ishte zëvendës shefe dhe zëvendës përfaqësuese e përhershme e Misionit të SHBA-së në OSBE në Vjenë.

Bërns vjen në vendin e Xhes Bejlit, i cili nga funksioni u largua në mars të këtij viti.

“Tashmë 25 vite punoj si diplomate amerikane në promovimin e sigurisë, progresit, respektit të të drejtave të njeriut dhe dallimeve, sundimin e së drejtës dhe tregjet e hapura. Jam e emocionuar që këtë punë do ta vazhdoj në Maqedoninë e Veriut. E vlerësojmë guximin dhe profesionalizmin e ushtarëve tuaj dhe presim që t’u përshëndesim si anëtare e 30-të në NATO. Jam e nderuar që e kam mundësinë që ta përforcoj lidhjen mes të dy vendeve. Maqedonia e Veriut tani është në rrugën e zgjedhur drejtë NATO-s dhe BE-së. Ekipi në Ambasadën e SHBA-së në Shkup dhe unë punojmë që t’i ndihmojmë Maqedonisë së Veriut në këtë rrugë dhe të krijojmë mundësi të reja për progres përmes bashkëpunimit tonë dhe programeve për shkëmbim, korpusin e paqes dhe misionin e USAID-it”, deklaroi Ambasadorja Amerikane në Shkup Kejt Bërns.