KEDS-i,shkakton probleme në balancimin e sistemit energjetik

TË FUNDIT

Janë bërë gati të gjitha përgatitjet e nevojshme që KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu) të njihet si zonë rregulluese e pavarur nga ENTSO (Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit dhe Transmisionit), që rrjedh nga marrëveshja e Brukselit mes Prishtinës dhe Beogradit për energjinë. Por jo çdo gjë shkoj si do të duhej. Ka disa probleme që dalin nga disbalancet në sistemin energjetik që po shkaktohen nga operatorët e energjisë që veprojnë në Kosovë.

KOSTT ka vënë në dukje se debalancet që rrezikojnë këtë proces shkaktohen nga KEK dhe KEDS, andaj, sipas kryeshefit ekzekutiv të KOSTT këta operatorë duhet të merren vesh për balancimin e sistemit.

Megjithatë, duket se për shkak të frikës së konkurrencës nga liberalizmi i tregut me rastin e anëtarësimit të Kosovës në Rrjetit Evropian të Operatorëve të Transmisionit të Energjisë, KEDS nuk iu ka përmbajtur kërkesave për balancim të sistemit në fund të muajit gusht kur pati ndërprerje të energjisë elektrike për tre ditë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se ka pasur disa telashe me furnizim të energjisë elektrike tre ditë gjatë fazës monitoruese nga ENTSO, për të cilat ai pret që të mos u dalin si problem.

Për sa i për ketë fajësisë së telasheve që kanë lindur gjatë këtij procesi monitorues, Stavileci thotë se KEDS-i, KEK-u, KOSTT dhe ZRRE janë pjesë e sistemit, por sipas tij, ai nuk ka kompetenca për t’u përzier në punët e tyre menaxheriale të këtyre kompanive

Sipas ministrit të MZHE-së anëtarësimi i Kosovës në ENTSO do të jetë ndër të arriturat më të mëdha në fushën e energjetikës, kjo sipas tij është edhe rezultat i dialogut nga bisedimet në Bruksel, sepse ka qenë Serbia ajo që ka penguar në të kaluarën anëtarësimin në këtë organizatë evropiane.

Për liberalizimin e tregut, Stavileci tha se janë duke i marrë disa veprime që i hapin rrugë hapjes së tregut energjetik, nga i cili do të përfitonte ekonomia e vendit dhe konsumatorët me shërbime dhe çmime më të mira.

Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Naim Bejtullahu, thotë se monitorimi ndërlidhet me balancimin e sistemit energjetik. Sipas tij, derisa të balancohet ky sistem, ata nuk do të arrijnë të jenë pjesë e ENTSO-s.

Koordinatori i KOSID, Visar Azemi, thotë se ka qenë e planifikuar nga 1 janari i këtij viti që tregu i energjetikës do të duhej të liberalizohet në të gjithë rajonin duke përfshirë edhe Kosovën. Porse, për avaritë të cilat kanë ndodhur në sistem gjatë periudhës monitoruese të KOSTT nga ENTSO, sigurisht se operatorët energjetik në vend duhet të jenë të përgjegjshëm.