KDI kërkon mosndëshkimin e sinjalizuesve të korrupsionit

TË FUNDIT

Në shenjë mbështetje për sinjalizuesin e korrupsionit,sot KDI ka organizuar aksionin “ecje dhe fishkëllimë”, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Aksioni filloi me fishkëllimat e aktivistëve të KDI-së para Qeverisë, për të vazhduar me ecje deri tek Hoteli Grand.

Ky aksion është vazhdimësi e aktiviteteve të shoqërisë civile që kundërshtojnë praktikën e frikësimit të qytetarëve dhe shprehin solidarizim me rastin e Abdullah Thaqit.

Ismet Kryeziu nga KDI, tha se të gjitha këto aksione janë në mbështetje të Abdullah Thaqit. Ai u bëri thirrje institucioneve që të mos frikësojnë sinjalizuesit e rasteve të korrupsionit, por ti inkurajojnë ata për denoncime të tilla.

Kryeziu tha se përveç problemeve të tilla, qytetarët tash e tutje do të jenë të frikësuar të paraqesin raste të tilla të korrupsionit, duke e ditur se nuk kanë mbështetje nga ana institucionale.

Përndryshe drejtori i Arsimit në komunën e Prizrenit, Nexhat Qoqaj, vazhdon ende të mbajë postin e tij, ndërkohë që Abdullah Thaqi përpos gjobës prej 5 mijë eurove, është ndëshkuar edhe me humbje të vendit të punës, si arkëtar në ProCredit Bank.

KDI së bashku me disa organizata tjera joqeveritare po vazhdojnë aksionin për mbledhjen e mjeteve financiare për zbutjen e gjobës prej 5 mijë eurove të Abdullah Thaqit.