Propozim ligji për lojërat e fatit po shkakton debat të ashpër mes opozitës e pushtetit. Nga opozita shqiptare akuzojnë se zv/kryeministri i parë Artan Grubi ka lejuar që në Maqedoni të hapen edhe tre shoqëri të reja për lojëra të fatit, ndërsa sipas tyre, bixhozi tani do të jetë i disponueshëm edhe online. Kërkojnë mbylljen e tërësishme të kazinove.
“Propozimi ynë është t’i mbyllim përfundimisht këto vende që na e morën në qafë rininë, që nesër! Ne propozojmë mbylljen. “Artan kazinomen”, me nënshkrimin e tij, me vendimin e tij po hapë internet kazino për të futur bixhozin në shtëpitë tona, në çdo shtëpi nëpërmjet internetit dhe pra, ky është dallimi”, u shpreh Jetmir Asani, koordinator i rinisë në LD.
Por sipas zv/kryeministrit të parë Artan Grubi, qëllimi i Qeverisë është të demonopolizojë tregun me një organizator të dytë të lojërave të fatit, e ajo është Novomatic. Grubi në një intervistë për “Kanal 5”, shton se është dhënë edhe një licencë e tretë për lojëra online. Kjo siç njofton ai, erdhi me kërkesë të Lotarisë Shtetërore.
“Është përzgjedhur kompania tjetër e përfaqësuar nga Novomatic, gjigand i lojërave të fatit në Europë. Ajo ka licencë dhe tanimë funksionon. Ende nuk kanë filluar por ka licencë. E tani edhe një tjetër, gjithsej tre, për lojëra të fatit online. Qeveria solli vendim me kërkesë të Lotarisë të vendit tonë të hapë edhe tre licenca për lojëra të internetit, të rregullojë hapësirën e basteve për të gjithë qytetarët tanë”, tha Artan Grubi, zv.kryeministër i parë.
E nga Lëvizja “Antibixhoz” janë kundër çfarëdolloj bixhozi, qoftë online apo me prezencë fizike.
“Ne kemi qenë dhe jemi shumë konkret në kërkesat tona, dislokim 3 km larg vendbanimeve tona, njëkohësisht duke ofruar zgjidhje përmes amandamenteve për vendndodhjen e tyre. Ne jemi kundër çdolloj bixhozi, qoftë fizike apo përmes rrjetit, e konsiderojmë si plaçkitje klasike të qytetarit”, tha Xhemal Abdiu, Lëvizja Antibixhoz.
Propozim ligji për lojëra të fatit ka kaluar në Qeveri ndërsa pret edhe “aminin” e deputetëve në Kuvend. Në propozim ligj parashihet që kazinot të pozicionohen së paku 500 metra nga objektet shkollore.
