“Lutja e Paqes” një eveniment i rëndësishëm botëror këtë vit do të organizohet në Tiranë. Aktiviteti do të fillojë sot dhe do të zgjasë 3 ditë (6,7,8 shtator) dhe do të mbledh në Tiranë 4 mijë klerikë të besimeve të ndryshme fetare dhe personalitete të njohura botërisht nga fusha e fesë, politikës, artit, shkencës etj.
Për organizimin e këtij eventi do të angazhohen të gjitha ministritë dhe njëherësh edhe institucione të tjera. Organizimi treditor i këtij aktiviteti do t’i kushtojë shtetit shqiptar 83 milionë lekë të reja.
Ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi ka thënë se janë 4 mijë të ftuar që do të vijnë në Shqipëri në këto data të organizimit të “Lutjes së Paqes” dhe se janë marrë të gjitha masat e sigurisë për mbarëvajtjen e aktivitetit.
Klosi tha se jo pa qëllim sivjet u zgjodh Shqipëria si vend organizues i këtij eventi, pasi pas Vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, pikërisht shtatorin e kaluar vlerat e tolerancës fetare në Shqipëri frymëzuan edhe organizatorët e këtij eventi.
Ky aktivitet sipas ministrit do të jetë edhe një mundësi e mirë për promovimin e turizmit shqiptar dhe vlerave kulturore e fetare që ka Shqipëria.
