Katër banka – tre të mëdha dhe një e mesme – që nga fillimi i këtij muaji i kanë ulur provizionet për qytetarët dhe kompanitë. Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, shprehet i kënaqur që nisma e tij tashmë po jep rezultate. Ai pret që edhe bankat e tjera të mesme dhe të vogla ta ndjekin këtë shembull.
“Qytetarët që u kanë besuar bankave të ardhurat dhe kursimet e tyre janë kreditorë të tyre. Pra, qytetarët janë kreditorë. Në këtë mënyrë, duke huazuar mjete nga qytetarët dhe ndërmarrjet – zakonisht me zero ose kosto minimale – bankat sigurojnë burime të rëndësishme për të mbajtur likuiditetin e tyre. Kjo është një nga arsyet kryesore pse bankat duhet të tregojnë mirëkuptim për kërkesën për trajtim të drejtë ndaj qytetarëve dhe kompanive për ofrimin e shërbimeve në qarkullimin pagesor”, tha Trajko Slaveski, Guvernator i Bankës Popullore.
Sllaveski gjithashtu paralajmëroi një nismë të re. Ndryshime ligjore për llogarinë pagesore me funksione bazë. Qytetarëve do t’u mundësohet të kenë minus të lejuar përmes kësaj llogarie, gjë që aktualisht nuk është e mundur, dhe nuk do të kenë më nevojë të mbyllin llogaritë e tjera.
“Propozojmë që çmimi i shërbimeve që mund të ofrohen përmes llogarisë pagesore me funksione bazë të lidhet me shumën e pagës minimale bruto në vend dhe të përcaktohet në maksimum 0,1% të saj, që sipas pagës minimale bruto për vitin 2025 do të ishte 36 denarë në muaj. Qytetarët që i përkasin kategorive të cenueshme, të përcaktuara me ligj, do të mund të përfitojnë këto shërbime falas”, shtoi Trajko Slaveski, Guvernator I Bankës Popullore .
Sllaveski tha se në vendin tonë, për shkak të shumë kufizimeve, kjo llogari nuk e ka arritur qëllimin. Deri tani janë hapur vetëm 140 llogari të tilla, që do të thotë se shumë pak qytetarë marrin shërbime pagesore me kosto të arsyeshme – tha ai.
Risitë më të rëndësishme janë: mundësia për minus të lejuar, mundësia për të pasur një llogari pagesore me funksione bazë edhe nëse konsumatori ka llogari të tjera, si dhe një grup më i gjerë shërbimesh falas ose me çmime të ulëta – të cilat, përveç atyre të brendshme, do të përfshijnë edhe transferet elektronike ndërbankare, lëshimin e një kartele debiti dhe deri në katër tërheqje të parasë në muaj nga bankomatët e bankave të tjera, në shumën deri në 2.000 denarë për transaksion.
