Kasami: Osmani po keqpërdorë kryesimin me OSBE-në! Mexhiti: BDI po angazhohet për kthimin e Gruevskit

TË FUNDIT

Tre kryetarët e bllokut opozitar Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi, nga Çarshia e vjetër e Shkupit dërguan akuza ndaj pushtetit, e sidomos ndaj BDI-së. Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami akuzoi Bujar Osmanin se ka tentuar të keqpërdor kryesimin me OSBE-së për të ndikuar në numrin e vëzhguesve në procesin zgjedhor.

“Kemi disa informacione Bujar Osmani ka tentuar të keqpërdorë kryesimin me OSBE-në, për të ndikuar në vendimin për numrin e vëzhguesve nga OSBE për në procesin zgjedhor. Ne po bëjmë të qartë se ne e dimë saktësisht se çfarë janë të gatshëm të bëjnë në përpjekje për të mbrojtur pasuritë e tyre të fituara në mënyrë të paligjshme”, tha Bilall Kasami – kryetar i Besës.

Nga ana tjetër kryetari i LD-së Izet Mexhiti tha se BDI po angazhohet për kthimin e Gruevskit për të bërë pazare, që ai tu sigurojë pozitë në Qeverinë e ardhshme edhe nëse i humbin zgjedhjet.

“Burimet tona thonë se BDI ka kohë që është dorëzuar nga ndryshimet kushtetuese dhe se e vetmja arsye që kaq shumë angazhohet për kthimin e Gruevskit është që të bëjë pazar me kryesinë e VMRO-DPMNE-së. Ata shpresojnë se Gruevski do tu sigurojë pozitë edhe nëse i humbin zgjedhjet që të krijojnë një qeveri të gjerë për të cilën do të negociojnë edhe me deputetë të LSDM-së”, deklaroi Izet Mexhiti – kryetar i LD.

Ndërkohë kryetari i AAA Afrim Gashi tha se kanë tre kushte sa i përket ndryshimeve kushtetuese. Kushti i parë është rrugëtimi drejtë BE-së pa asnjë kompromis, pavarësisht se kush të t’i fitojë zgjedhjet në kampin maqedonas, kushti i dytë është amendamenti kushtetues për mosvjetrim të lëndëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kushti i tretë, sipas Gashit, është heqja e 20% nga kushtetuta si formulim që i referohet gjuhës shqipe.