Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, vlerëson se kryeministri Dimitar Kovaçevski me thirrjen e takimit të liderëve të partive parlamentare e shpëtoi BDI-në nga llogaridhënia në tryezën e partive politike shqiptare, të cilën pak para Kovaçevskit e kishte thirrur Lëvizja Besa. Në “Click Plus” Kasami u shpreh se BDI duhej të referojë për avancimit e të drejtave të shqiptarëve në përputhje me obligimet që ka marrë si parti më e madhe në qeveri e cila është edhe nënshkruese e Deklaratës së partive shqiptare.
“BDI duke mos qenë e gatshme që të referojë se çfarë ka bërë, sepse aty ka disa pika shumë konkrete. Një ndër to ka të bëjë edhe me gjuhën shqipe. Një ndër pikat më të rëndësishme të asaj Deklarate thotë që gjuha shqipe duhet të avancohet me Kushtetutë, gjuhë e barabartë me gjuhën maqedonase”, Bilall Kasami, kryetar “Lëvizja Besa”.
Po edhe pse Kasami këmbëngulë kaq shumë në heqjen e 20%-shit, prapëseprapë nuk thotë se i kushtëzon votat e Besës për arritjen e 80 votave të deputetëve për futjen e bullgarëve në Kushtetutë.
“Për ne nuk është diskutabile kjo çështje, por për ne është me rëndësi që me LSDM-në ne kemi në marrëveshje që në momentin e parë që do të hapet Kushtetuta, ta zgjidhim edhe çështjen shqiptare”, theksoi Bilall Kasami, kryetar “Lëvizja Besa”.
Duke folur për koalicionet e ardhshme të Besës, kreu i kësaj partie tha se bosht kryesor i marrëveshjes do të jetë avancimi i të drejtave juridiko-kushtetuese të shqiptarëve.
“Në këtë rrafsh cilado qoftë parti politike nëse nuk pajtohet që pjesë e marrëveshjes për koalicion qeverisës edhe avancimi i çështjes shqiptare, ne nuk do të nënshkruajmë marrëveshje të tillë”, tha Bilall Kasami, kryetar “Lëvizja Besa”.
Përveç llogaridhënies së BDI-së, Kasami shprehet se takimin e partive shqiptare e ka ftuar edhe për formimin e një qëndrimi të përbashkët të partive shqiptarë për heqjen e termit 20% për gjuhën shqipe nga Kushtetuta.
