Liderët e VLEN-it pas mbrëmjes festive për pavarësinë e Kosovës në Prishtinë, kanë zhvilluar takim ku është biseduar çështja e zgjedhjes së liderit. Jozyrtraisht mësohet se takimi është zhvilluar në prani kryeministrit Albin Kurti. TV21 mëson se në këtë takim në tavolinë është diskutuar opsioni me bashkëkryetarë. Është propozuar që dy kryetarët, të jenë Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, ndërsa Bekim Sali dhe Arben Fetai të emërohen nënkryetarë, ndërsa Bekim Qoku, sekretar gjeneral.
Megjithatë brenda VLEN-it tashmë po hasin në vështirësi për mënyrën e funksionimit të ndarë në disa subjekte, andaj po kërkojnë një koncept të ri për shkrirje sa më shpejt në një parti.
“Ideja është e njësimit e bërit një, që ne e quajmë shkrirje. Që do të thotë të heqish dorë nga partitë individuale. Pra mos të flasim më për BESË, LD, AAA, ASH, por të flasim për VLEN sepse po shohim se po bëhet e vështirë ta mbajmë këtë model”, tha Bekim Qoku
E derisa po flitet për bashkim, nga ana tjetër po diskutohen edhe formulime të ndarjes së pushtetit mes partive. Arben Fetai të hënën e kësaj jave tha se në VLEN duhet të vazhdojë koncepti i barabarësisë nga 25% për secilën parti.
“Aty janë disa parime. E para është barabarësia e katër subjekteve, siç e dini hisja e VLEN ndahet në katër çerek”, deklaroi ditë më parë Arben Fetai.
-Z. Qoku a është reale që Arben Fetai të kërkojë 25% më ndarjen e pushtetit?
-Është reale të kërkojë.
-Por a i takon?
–Kjo është çështje tjetër tani. Unë po them po i diskutojmë dhe i shmangim këto përqindjet, ku mund të kapesh për 1%,2% për poste. Mendoj se duhet të tejkalohet kjo.
Qoku foli edhe për zhvillimet e fundit që ndodhën në Lëvizjen Besa. Ai theksoi se Lëvizja Besa mund ta braktisë Qeverinë, vetëm nëse VLEN-i e braktisë Qeverinë, duke shtuar se BESA është VLEN, VLEN-i është Besë.
