Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Eshton Karter, deklaroi sot se shtetet e Evropës duhet të shpenzojnë më shumë në fushën e mbrojtjes, duke pasur parasysh sfidat e sigurisë në rajon dhe theksoi se rënia e shpenzimeve në këtë fushë po rrezikon statusin e Evropës si partnere e besueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë një takimi me studentët e një shkolle ushtarake në Uashington, Karter tha se Evropa nuk po bën sa duhet, se shtetet e Evropës po shpenzojnë një sasi më të vogël të bruto prodhimit të tyre të brendshëm se sa në të kaluarën dhe se po investojnë shumë më pak në këtë fushë në krahasim me Rusinë.
Ai më tutje nënvizoi se situata në Ukrainë, problemi i refugjatëve në Afrikën e Jugut dhe sulmet e fundit terroriste janë një alarm, i cili shërben si vërejtje se duhet të forcohet siguria.
Karter pranoi se Evropa nga kriza financiare po këndellet shumë më ngadalë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por insistoi se Evropa ka mundësi që të përmbushë obligimet e veta sa i përket investimeve në fushën e mbrojtjes./21 Media/
