Kur gazetarët pyetën Ministrin e Shëndetësisë për idenë e opozitës për ngritjen e një komisioni të posaçëm për sëmundje ngjitëse që do të merrej vetëm me pandeminë, ai që më shumë u prek ishte kryetari i Komisionit aktual për Sëmundje Ngjitëse, Zharko Karaxhovski.
“Edhe unë të flas për Komisionin… U akuzuam se marrim para të pista dhe se shitemi lirë dhe se jemi mafiozë. Për shkak se këtu më prekën më së shumti…këtu më prekën (tregon zemrën me dorë), unë dhe familja ime as nuk kemi qenë e as nuk do të jemi mafiozë, as të korruptuar, e as nuk shitemi për para të vogla siç na thonë”, u shpreh Zharko Karaxhovski – Kryetar i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse.
Çdo profesionist që nuk ka besim në punën e Komisionit, Karaxhovski e fton të japë mendimin e tij profesional.
E edhe krahas këtyre fjalëve, pasdite opozita ngriti iniciativën që kishte ndër mend.
VMRO-DPMNE-ja, koalicioni Aleanca-Alternativa dhe “E majta”, në kuadër të ndryshimit dhe plotësimit të ligjit për mbrojtje të popullatës nga sëmundjet ngjitëse, kërkojnë të formohet Komision special që do të merrej vetëm me pandeminë.
“Qëllimi është të formohet një komision shëndetësor për mbrojte nga sëmundjet ngjitëse në të cilën do të jenë 11 anëtarë, Ministri i Shëndetësisë dhe Drejtori për përballje me kriza si dhe 9 persona nga lista eminente e profesionistëve të imunologjisë, infektologjisë, mikrobiologjisë, internistë dhe njerëz që merren me këtë problematikë”, theksoi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Ideja e opozitarëve është që Komisioni të zgjidhet nga Kuvendi, me propozim të Qeverisë, ndërsa për punën e tij do të përgjigjej para Kuvendit, e kjo do të rriste përgjegjësinë e veprimeve që ndërmerr, thotë deputeti i Koalicionit “Tash është koha”, Syrja Rashidi.
“Kjo bëhet me tendencë për ta rritur nivelin e përgjegjësisë së komisionit në dhënien e vlerësimeve dhe rekomandimeve, pavarësisht se ne kemi vërejtje të mëdha se si komisioni i deritashëm i ka dhënë rekomandimet dhe vërejtje për tejkalimin e situatës shpesh herë edhe me tendenca të politizimit të situatës. Një komision i tillë do të kishte përgjegjësi më të madhe dhe do të përgjigjej para Kuvendit”, potencoi Syrja Rashidi nga Koalicioni ASH-AAA.
Për këtë iniciativë, si Micevski po ashtu edhe Rashidi presin mbështetje të shumicës kuvendore. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe nuk kishte përgjigje të drejtpërdrejt nëse është dakord me ide të këtillë, por tha se Komisioni aktual gjithnjë ka qenë transparent.
