Strategu turk, Umit Karan do të vazhdojë të jetë krye-shef i bankinës së Shkupit, dhe do ta udhëheqë ekipin çairas në garën evropiane gjatë verës. Siç thonë nga F.C. Shkupi, Karan ka dorëzuar ankesë kundrejt procesit gjyqësorë që udhëhiqet kundër tij, në Turqi dhe beson që vendimi për mbajtjen e dënimit do të shtyhet. Kjo do të thotë se Karan në bankinën e Shkupit, do të qëndrojë më së paku deri në dhjetor. Këtë informacion e bën të ditur, e përditshmja sportive maqedonase, SportMedia, transmeton Tv21.
FILLIMI I PËRGATITJEVE
Për dallim nga ekipet tjera të vendit të cilët do të luajnë në Liga Evropë, Shkupi ende nuk i ka filluar përgatitjet. Sipas informacioneve, Shkupi pritet që të “ndezë” motorët në 15-16 qershor edhe atë në Bollu të Turqisë, ku do të priten nga trajneri Umit Karan me disa lojtarë të rinj. Çairasit edhe vitin e kaluar përgatitjet i kanë zhvilluar në Bollu të Turqisë.
