Karakaçanov publikoi listë, “gjysma” e VMRO-DPMNE me pasaporta bullgare, partia demanton

TË FUNDIT

Aleksandër Nikollovski, Antonio Milloshoski, Nikolla Micevski, Aleksandër Pandov, Filip Petrovski, Petar Bogojeski, janë vetëm disa nga emrat që në profilin e tij të Facebook-ut i publikoi ministri bullgar i mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov. Pohon se kanë shtetësi bullgare. I thirri të votojnë për partinë e tij në zgjedhjet që do të mbahen në Bullgari.

 “Mbi 120 mijë qytetarë të Republikës së Maqedonisë në rolin e qytetarëve bullgar kanë të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare. Përveç të drejtës së votës, të gjithë ata maqedono-bullgar të “theksuar” si dhe mbi 120 mijë të tjerë shtetas bullgar në Maqedoni kanë të drejtë për vaksinim falas kundër Kovid-19, si dhe qasje të barabartë në sistemin shëndetësorë në Bullgari dhe gjithë BE”, tha Krasimir Karakaçanov – Ministër bullgar i Mbrojtjes.

Kështu ka shkruar Karakaçanov në FB, duke shtuar se çdo ngjashmëri me emrat e politikanëve në Maqedoni mund të jetë rastësi.

TV21 kontaktoi me disa nga emrat në listën e Karakaçanov-it, mes të cilëve edhe Aleksandër Nikollovski, nënkryetarë i VMRO-DPMNE. Ai demantoi informacionet e publikuara nga ministri bullgar.

 “Duke pasur parasysh se Karakaçanov është përballur me humbje në zgjedhjet e tanishme parlamentare, ai është i dëshpëruar dhe patjetër të ndërmarrë hapa dëshpëruese. Në të njëjtën kohë në Maqedoni hapet afera më e madhe deri më tani në lidhje me provizionin që Qeveria ka dashur ta marrë për blerjen e vaksinave dhe është e dukshme se Karakaçanov dëshiron t’i ndihmojë mikut të tij Zoran Zaev, kështu që bëhet fjalë për aksion të koordinuar”, u shpreh Aleksandër Nikollovski – nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Edhe kryetari i Institutit patriotik të VMRO-DPMNE, Aleksandër Pandov demantoi ministrin bullgar Krasimir Karakaçanov.

 “Betohem në gjakun tim maqedonas se kjo është gënjeshtër dhe se nuk kam pasaportë ose një dokument tjetër për udhëtim, letër njoftim ose diçka tjetër nga Bullgaria ose nga ndonjë vend tjetër në botë. Pohoj se për momentin ai po sillet si partner i koalicionit të Zaevit dhe Sheqerinskës dhe kjo është përpjekje klasike për defokusim të opinionit publik në Maqedoni nga problemet dhe aferat që i krijojnë Zaev, Sheqerinska, Filipëe dhe LSDM-ja”, shtoi Aleksandër Pandov – Kryetar i Institutit të VMRO-DPMNE-së.

Koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski porositi se nuk është e saktë se deputetë dhe funksionarë të VMRO-DPMNE-së kanë letër njoftime dhe shtetësi të Republikës së Bullgarisë.

 “Është e qartë se çdo herë kur duhet të ketë defokusim nga skandalet që i ka Zoran Zaev në shtet, e shfrytëzon shokun e tij Karakaçanov i cili del me deklarata të këtilla skandaloze”, potencoi Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.

Edhe Petar Bogojeski nga Koncepti maqedonas i hodhi poshtë pohimet e zv/kryeministrit bullgar, Krasimir Karakaçanov.

“Unë sot e thirra që me procedurë të shpejtë pas këtij akti të tij të më japë shtetësi bullgare ose të përballemi në gjykatë që t’i dëshmojë të gjitha gënjeshtrat që i përhap këto dy vjetet e fundit, duke thënë se më ka financuar, më paska dhënë bursa për shkollim”, deklaroi Petar Bogojeski – Koncept maqedonas.

Reaguan nga partia në pushtet prej ku VMRO-DPMNE-së i porositën që vetë t’i zgjidhin marrëdhëniet me Karakaçanov pa i përfshirë ata. Prej atje shtojnë se njësoj si deri më tani, LSDM-ja me asgjë nuk do të shkaktojë keqpërdorim të fushatës te fqinji ynë Bullgaria. Përndryshe, për zgjedhjet parlamentare që në Bullgari do të mbahen më 4 prill, vetëm 328 persona nga Maqedonia janë paraqitur që të votojnë në ambasadën bullgare në Shkup. Numri është më i ulët madje edhe nga interesi në Australi ku për të votuar janë paraqitur 422 persona.