Bullgaria nuk e shkel Marrëveshjen, por i ndihmon Maqedonisë. Këtë sot e deklaroi zëvendëskryeministri bullgar Krasimir Karakaçanov, pas vetos të cilën dje e vendosi pala bullgare. Ai përsëriti se duhet të nënshkruhet aneks-marrëveshje në të cilën do të shkruajë se historia dhe gjuha maqedonase kanë rrënjë bullgare.
“Ne po tentojmë t’i mbështesim ata për t’i arritur kriteret, njëri prej të cilëve është zgjidhja e çështjeve bilaterale me fqinjët, por ata nuk kanë dëshirë ta bëjnë këtë. Kështu që, ne e përmbushim Marrëveshjen. Historia, gjuha dhe kultura e popullsisë në zonën gjeografike të Maqedonisë, deri në vitin 1944 është pjesë e kulturës dhe historisë bullgare. Prandaj, gjërat janë shumë të qarta dhe mund të zgjidhen shpejt”, tha Krasimir Karakaçanov – zëvendëskryeministër i Bullgarisë.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov në konferencën e sotme onlajn të Shoqatës së Përkthyesve tha se gjuha maqedonase do ta gëzojë statusin e gjuhës zyrtare të Bashkimit Evropian, menjëherë pasi të bëhemi anëtare e plotfuqishme. Në po të njëjtën konferencë foli edhe ambasadori i BE-së, Dejvid Gir.
“Diversiteti gjuhësor është i inkorporuar në të drejtën evropiane dhe në Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, si dhe në Marrëveshjen për Themelim të BE-së. Bashkëjetesa e gjuhëve në BE është simbol i fuqishëm për aspiratat e Bashkimit Evropian për unitet përmes diversitetit”, u shpreh Dejvid Gir – Ambasador i BE-së.
Diplomati amerikan Xhejms Perdju, ish-ambasador në Sofje dhe njohës i mirë i situatës në Ballkan, për televizionin bullgar BNT, tha se do të ishte për të ardhur keq nëse Bullgaria e bllokon anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
“E di që është joshëse(tërheqëse) për Bullgarinë të përpiqet ta përdorë pozicionin e saj si anëtare e Bashkimit Evropian, derisa Maqedonia Veriore po mundohet të anëtarësohet. Por, nuk jam i sigurt nëse ia vlen të krijohet armiqësi midis qeverive të të dyja vendeve dhe popujve të tyre”, theksoi Xhejms Perdju – diplomat amerikan.
Në takimin e djeshëm të KOREPER kur Bullgaria vendosi veton e parë për fillimin e negociatave të Maqedonisë me Bashkimin Evropian, ambasadori bullgar Dimitar Cançev, ka shpalosur tri kushte përse kanë ndërmarrë një hap të tillë. Ai ka thënë se Komisioni Evropian ka vlerësime pozitive joobjektive për marrëdhëniet e mira fqinjësore, me çka kërkon të ketë një kapitull të veçantë negociimi, kurse vendet-anëtare të votojnë në përgatitjen e këtyre vlerësimeve, gjë që do t’i jepte mundësi Bullgarisë sërish të ketë të drejtë vetoje. Cançevi ka deklaruar se Bullgaria këmbëngul të përdoret emri zyrtar kushtetues – Republika e Maqedonisë së Veriut, e jo emri i shkurtuar. Lidhur me përdorimin e termit – gjuhë maqedonase, Cançevi ka thënë se është e papranueshme.
“Përdorimi i termit – gjuhë maqedonase është i papranueshëm për ne, sepse krijimi i kësaj gjuhe bazohet në një prej dialekteve bullgare dhe është një nga instrumentet themelore për transformimin e bullgarëve nga Maqedonia e Vardarit në maqedonas”, potencoi Dimitar Çançev – Ambasador i Bullgarisë në BE.
Me kritika për mënyrën se si zhvillohen negociatat me Bullgarinë, doli edhe opozitarja VMRO-DPMNE.
“Sjellja sharlatane si “diplomacia e domates” dhe “dashuri, si jeni, të përshëndet Zoki” doli në pah dhe më në fund përshëndetja erdhi deri te Zoran Zaevi dhe Qeveria për joseriozitetin e tyre, paaftësinë dhe pakujdesinë ndaj shtetit”, deklaroi Dimçe Arsovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Me analizë doli edhe Instituti Ndërkombëtar IFIMES, në të cilën thuhet se BE-ja, sidomos Gjermania duhet ta ndalojnë qasjen e Bullgarisë ndaj Maqedonisë dhe maqedonasve si popull me identitet dhe gjuhë të tyre, sepse siç paralajmëron, mund të çojë në kriza të reja. Në analizë gjithashtu është nënvizuar se është e paimagjinueshme që në shekullin 21, Bullgaria si anëtare e NATO-s dhe BE-së të ketë sjellje të tillë dhe ta kontestojë identitetin dhe gjuhën e fqiut të saj.
