Kaplohet nga zjarri një pjesë e madhe e kampit të refugjatëve në Moria, tek ishulli grek Lezbos

TË FUNDIT

Në zjarrin që shpërtheu gjatë natës në Moria, kampi më i madh i refugjatëve në Greqi, në ishullin Lezbos, sipas informacioneve fillestare, është djegur një pjesë të madhe e qendrës për pritjes dhe regjistrim për refugjatët dhe migrantët dhe tendat përreth, ku janë strehuar 12.580 persona, njofton korrespondentja e MIA-së nga Athina.

E mundshme është se bëhet fjalë për shkaktimin e qëllimshëm të zjarrit, në fakt pas reagimeve të personave që dje u konfirmuan se ishin pozitiv me koronavirus ose kontaktet e tyre, të cilët, sipas mediave lokale, nuk pranuan të izoloheshin, gjë që u pasua me incidente.

Kryeministri grek Kirjakos Micotakis konvokoi takim urgjent këtë mëngjes me ministrat kompetentë mbi situatën në ishull.

Ajo që është shqetësuese në Greqi, është se çfarë do të ndodhë me refugjatët dhe migrantët, të cilët janë tani në rrugë, ndërsa mes tyre 35 janë pozitivë për koronavirusin.

Nga Shërbimi i Zjarrfikësve të Greqisë, kumtuan se kishte disa vatra të ndryshme të nxehta, si në afërsi të kampit, ashtu edhe në ambientet e brendshme, ndërsa 25 zjarrfikës ndërhynë me dhjetë automjete dhe me ndihmën e policisë, sepse gjatë shuarjes, shërbimet e zjarrfikësve u penguan t’i kryenin detyrat e tyre.

Sipas mediave lokale, pas zjarrit, i cili nuk është vendosur plotësisht nën kontroll, shumë refugjatë dhe migrantë u nisën nga kampi për refugjatë për në vendbanime të afërta./MIA