Kapen 356 mijë euro të padeklaruara në një tren në Zvicër, nis hetimi për pastrim parash

TË FUNDIT

Gjatë një kontrolli rutinor në pikën kufitare të Buchsit në kantonin St. Gallen, autoritetet doganore zvicerane kanë sekuestruar 356,000 euro të padeklaruara.

Sipas Blick, një shtetas zviceran 50-vjeçar, që po udhëtonte me tren nga Salzburgu drejt Zürichut, fillimisht deklaroi se nuk mbante para apo bagazh. Megjithatë, gjatë kontrollit, zyrtarët gjetën një çantë të fshehur nën ulëse, brenda së cilës ishin pesë zarfe dhe një portofol me shumën e madhe të parave.

Pas zbulimit, ai pretendoi se po i transportonte paratë për një person tjetër, por shpjegimet e tij u konsideruan kontradiktore dhe të pabesueshme. Autoritetet ngritën dyshime për pastrim parash ose financim të mundshëm të veprimtarive të paligjshme.

Paratë u konfiskuan menjëherë, ndërsa rasti i është kaluar Policisë Kantonale të St. Gallenit për hetime të mëtejshme.

Sipas ligjit zviceran, nuk ka kufi për mbajtjen e parave të gatshme, por shumat mbi 10,000 franga duhet të deklarohen dhe të justifikohet origjina dhe qëllimi i tyre kur kërkohet nga autoritetet.