Kapacitetet e spitaleve private do të mund t’i përdorë edhe Ministria, miratohet Ligji në Qeveri

TË FUNDIT

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ka miratuar propozim-Ligjin për mbrojtje shëndetësore, me të cilin parashihet që Ministria e Shëndetësisë të mund t’i përdorë kapacitetet e spitaleve private në rast se ka nevojë për to në luftimin e pandemisë së Covid-19.

Me këto ndryshime ligjore, Ministria e Shëndetësisë merr autorizime shtesë në kushte të gjendjes së krizës së shpallur për shkak të mbrojtjes së shëndetit publik dhe epidemisë dhe pandemisë së shpallur nga sëmundja ngjitëse.

“Me ndryshimet e propozuara rregullohet mënyra e kryerjes së veprimtarisë shëndetësore nga spitalet private gjatë gjendjes së krizës, kurse Qeverisë i mundëson autorizim ligjor të caktojë çmimet më të larta në spitalet private në lartësinë e çmimeve të vërtetuara nga ana e Fondit për sigurim shëndetësor që të mundësojë që këto shërbime të jenë të qasshme njëjtë ekonomikisht për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftimin e Qeverisë, transmeton TV21.

Këto ndryshime do t’i dorëzohen Kuvendit për miratim, ndërkaq parashihen edhe gjoba për spitalet private në rast se e shkelin ligjin, respektivisht nuk i përcaktojnë çmimet e parapara në Ligj.