KANË NGECUR BISEDIMET PËR SPECIALEN, MILLOSHOVSKI MBULON EMRIN E SHTETIT PARA SE TË FLASË

TË FUNDIT

Bisedimet mes pushtetit dhe opozitës për projektligjin për prokurorinë nuk po ecin me ritmin e dëshiruar, konfirmon kryeministri Zoran Zaev. Ai po brengoset se mos vendet anëtare të BE-së do ta përdorin këtë mosmarrëveshje të brendshme të vendit si justifikim për mosdhënien e datës për nisje të bisedimeve aderuese.

“Hapat e fundit ishin të suksesshëm, e në fund marrim tërësisht propozime të reja që tekstualisht na kthejnë që të ulemi dhe të shkruajmë ligj të ri. Kjo nuk është zgjidhje. Apeloj për përgjegjësi sepse definitivisht çështjet e mëdha u zgjidhën, besoj se mbeten vetëm ato politike. Jam i gatshëm që nëse deri në fund zgjidhen çështjet themelore, të ulem në takim liderësh dhe t’i definojmë çështjet politike. Do të ishte mirë që kjo gjë të ishte e zgjidhur para se të mbahet Këshilli i Ministrave, ose të paktën të dërgojmë mesazh se jemi marrë vesh, që të mos u japim argumente”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovski, para se të flet për mediat,  u përpoq ta mbulojë emrin e ri të shtetit në Kuvend. Ai tha se nuk kanë dorëzuar propozime tërësisht të reja por kanë vetëm një kërkesë.

“Nuk kemi asnjë kërkesë të re me shkrim në lidhje me këtë, përveç një kërkese me gojë që e kemi folur me Ministren Deskoska, e ajo është që Prokurori i ri që do të jetë në krye të Prokurorisë Speciale si pjesë e Prokurorisë Publike të jetë njeri, burrë ose grua, me mesatare më të lartë nga Fakulteti i Drejtësisë”, theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

Opozitarët mbeten në kërkesën e tyre që Ministrja e Drejtësisë të gjejë mënyrë për t’i inkorporuar në ligj 65 amendamentet e propozuara nga VMRO-DPMNEJ-ja. Me to do të përmirësohej teksti aktual dhe do të arrihej konsensus i gjerë mes palëve tha Milloshovskit duke u shprehur i gatshëm edhe që të ulen dhe ta përpilojnë tekstin që nga fillimi.

Dallimet më të mëdha mes qeverisë dhe opozitës qëndrojnë në nenin 105 të projektligjit aktual ku rregullohet vazhdimi i lëndëve të Prokurorisë Speciale të hapura pas 30 qershorit 2017.

Përgatiti: Besir Arifi