Kamionistët nga vendi kanë filluar ta zhvendosin biznesin jashtë shtetit për shkak të rregullave të reja për hyrje dhe dalje nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat hyjnë në fuqi më 12 tetor – paralajmëron Shoqata e Transportuesve me Kamionë. Ata thonë se kjo do të shkaktojë kolaps në ekonominë e Maqedonisë dhe më pak të ardhura në buxhetin e shtetit. Në vend ka rreth 1.800 kompani për transport mallrash që punësojnë mbi 15.000 kamionistë dhe rreth 5.000 punonjës logjistike.
“Ka tashmë nga ata që po mendojnë dhe po hapin kompani jashtë vendit. Kjo do të ndikojë në vetë kompanitë transportuese tregtare, do të ndikojë në tërë ekonominë e vendit tonë, sepse importi dhe eksporti në një shtet që është i varur nga importi në 96% të rasteve kryhet rrugës tokësore. Prurjet e lëndëve të para, mallrave tregtare, madje edhe ilaçeve dhe nevojave të tjera do të ngadalësohen ose do të bëhen shumë të shtrenjta, sepse do të duhet të angazhohen transportues të huaj”, tha Biljana Muratovska, Shoqata e Transportuesve “MAKAM TRANS”.
Sistemi për kontroll elektronik të hyrjes dhe daljes në zonën Shengen është shtyrë disa herë, por hyn në fuqi për 3 ditë, më 12 tetor. Muratovska thotë se edhe deri tani kamionistët tanë kanë marrë ndalesa për hyrje në BE, për shkak të shkeljes së rregullit për qëndrim prej 90 ditësh, por tani kjo do të jetë shumë më rigoroze, sepse ditët do të numërohen me saktësi.
“Brenda dy muajve, më pak se dy muaj, ata tashmë i plotësojnë kufijtë, sepse atyre ua llogarisin edhe gjysmën e ditës apo edhe një orë që të kenë qëndruar në territorin e zonës Shengen, ua llogarisin si një ditë të plotë. Ne kishim propozim… që zbatimi të shtyhet ose që qëndrimi të llogaritet në orë”, shtoi Biljana Muratovska, Shoqata e Transportuesve “MAKAM TRANS”.
Ministri i Transportit Nikollovski së fundmi premtoi se do të angazhohet për ta zgjidhur këtë problem që e kanë jo vetëm shoferët tanë, por edhe ata nga vendet e treta, por për momentin nuk ka përgjigje. Muratovska thotë se për të qarkulluar dy kamionë do të nevojiten katër shoferë, dhe përveç mungesës së shoferëve, kostot e transportit do të rriten ndjeshëm.