Përfaqësuesi i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi e quan mendjeshkurtër Shqiprim Arifin, kryetar i Preshevës, për shkak të deklaratave të tij që Kosova të mos ndërhyjë në Luginë. Sipas tij, është jetike prezenca e Prishtinës dhe e Tiranës zyrtare në tri komunat ku jetojnë shqiptarët. Kamberi kërkon nga Kosova që të hartohet një program shtetëror për Luginën, ndërkaq thekson se prioritet i tij si deputet shqiptar në Serbi, është integrimi i barabartë dhe proporcional i shqiptarëve në organet shtetërore.
Në intervistën për KosovaPress, ai flet edhe për regjistrimin e popullsisë në Luginë, për çka thotë se janë numëruar rreth 100 mijë shqiptarë. Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) përmend edhe shkarkimin e Ardita Sinanit dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të Serbisë me dy lista shqiptare.
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi kërkon prezencë më të madhe të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare në Luginë të Preshevës. Sipas, tij, është e domosdoshme që institucionet në vend ta kenë prioritet çështjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore.
“Shpresoj për një prezencë sa më të madhe të Prishtinës dhe Tiranës në Luginë të Preshevës. Kjo është me rëndësi jetike për neve. Është mendjeshkurtër, shkurt pamës një politikan nga Lugina e Preshevës, i cili del dhe publikisht thotë se nuk ka çka përzihet Kosova në Luginë të Preshevës. Pa Kosovën, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk e kanë fare mundësinë as të ekzistencës biologjike në këtë shtet, i cili me qindra herë ka dëshmuar se është fashist ndaj nesh. Prandaj, sa më e madhe të jetë prezenca e Kosovës këtu, qoftë me projekte, sugjerime, me këshilla, apo me cilën do metodë të veprimit për të ndihmuar nevojat e Luginës së Preshevës, do të jetë pozita jonë më e volitshme”, deklaron Kamberi.
Kamberi shton se institucionet në Prishtinë duhet të hartojnë një program shtetëror për ndihmë për Luginën e Preshevës.
“Në Prishtinë të ketë një program shtetëror për ndihmë dhe për marrjen e përgjegjësive për Luginë të Preshevës dhe natyrisht një program të ngjashëm duhet ta ketë edhe Tirana, e cila sipas kushtetutës të vet e ka obligim që të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë. Këtë moment mendoj që shqiptarët në Luginë të Preshevës, janë pjesa më e rrezikuar e kombit, nga një shtet i cili po dëshmohet çdo ditë që është destabilizues në aspekt rajonal”, shton ai.
në një njësi zgjedhore.
Përgjatë mandatit të tij, Kamberi deklaron se do të vazhdojë të ngre zërin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.
“Unë do të vazhdoj me të njëjtin koncept për të paraqitur problematikat e shumta të popullatës shqiptare që jeton këtë rajon, për një akronizëm që po ekziston në politikën e Ballkanit Perëndimor, sidomos të Serbisë në raport me Ballkanin Perëndimor dhe me Kosovën, e cila po kërkon standarde nga më të lartat që ekzistojnë dhe që nuk i njeh e drejta ndërkombëtare për serbët në Kosovë, duke na mohuar neve standardet elementare, ato që janë fundamentale, ato që janë të parapara me legjislacionin e brendshëm të Serbisë. Pra, duhet luftuar ky koncept politik, të cilën Serbia po tenton ta vendos në zbatim, duke kërkuar zbatimin e parimit të reciprocitetit në të drejta me serbët”, shton ai.
Kamberi e konsideron me rëndësi të lartë integrimin e barabartë të shqiptarëve në organet shtetërore.
“Unë këtë vit duhet të nis disa iniciativa ligjore në radhë të parë rreth përdorimit të simbolit, eliminimit të kufizimeve, kërkesave të shumta që drejtpërdrejt do të lidhin me rezultatet e regjistrimit, kthimi i gjykatës në Preshevë dhe ajo që është sipas meje më e rëndësishmja është integrimi i barabartë dhe proporcional i shqiptarëve në organet shtetërore. Kjo është kërkesa bazë që po refuzohet për 40 vite sa jemi në proces politik me Serbinë nga përfundimi i luftës së UÇPMB-së”, thekson deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë.
Vitin e kaluar u shkarkua edhe bashkëpartiakja e Kamberit, Ardita Sinani, e cila ishte kryetare e Preshevës. Kryetari i PVD-së deklaron se asnjë qeverisje nga viti 2016, nuk arriti të përfundojë mandatin dhe kjo situatë po destabilizon komunën.
“Gjendja në Preshevë vërtetë është serioze, alarmante me faktin që as intervenimi i drejtpërdrejt dhe sugjerimet që erdhën nga Prishtina për të ruajtur stabilitetin në këto momente të rëndësishme në kuadër të procesit në të cilat gjendet gjithë Ballkani Perëndimor, në kuadër të një fakti në të cilën ne do të duhet të ndërtojmë një politikë unike të harmonizuar me Prishtinën dhe Tiranën për të kërkuar të drejtat e tona sipas parimeve të reciprocitetit, po ndodhin gjëra të këtilla që po e çojnë Preshevën në një kaos të përgjithshëm politik, një kaos i cili nuk po i sjellë në radhë të parë të mira qytetarëve të Preshevës, por që po dëmton konceptin tonë të ndërtimit të një politike unike për të kërkuar të drejtat tona konform parimit të reciprocitetit”, përfundon Kamberi.
Në prill të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti kishte ftuar në takim përfaqësuesit e Luginës, ku kishte kundërshtuar shkarkimin e Ardita Sinanit dhe kishte thënë që nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin.
