Kallëzim për evazion fiskal në Strugë, dyshohet dëm mbi 8 milionë denarë ndaj buxhetit

TË FUNDIT

Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Strugës ndaj një pronari dhe drejtuesi të një subjekti juridik, si dhe ndaj vetë kompanisë, nën dyshimet për evazion fiskal. Sipas Policisë Financiare, i dyshuari, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, nuk ka deklaruar dhe nuk ka paguar detyrimet tatimore për mallra tregtare të evidentuara si stok, me vlerë mbi 26 milionë denarë. Sipas hetimeve, janë shmangur pagesat për TVSH, tatim mbi të ardhurat personale dhe tatim mbi fitimin, ndërsa shuma totale e detyrimeve të papaguara ndaj shtetit arrin në mbi 8 milionë denarë.

Gjithashtu, sipas njoftimit, i dyshuari nuk ka dorëzuar bilancin tatimor për vitin 2025 dhe nuk ka paraqitur detyrimet përkatëse tatimore. Nga Drejtoria e Policisë Financiare bëjnë të ditur se me këto veprime dyshohet se është dëmtuar Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut në vlerë prej 8 milionë e 70 mijë denarësh. Rasti tashmë është në duart e Prokurorisë Publike për procedim të mëtejshëm.