Kallëzim penal dy ditë para fushatës! A është hakmarrje politike ndaj kryetarit të Petrovecit?

TË FUNDIT

Dy ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, drejtori i policisë financiare Arafat Muharremi së bashku me zëvendëskryeministrin për luftë kundër korrupsionit, Ljupço Nikollovski, parashtruan kallëzim penal deri te Prokuroria kundër pesë personave për dëmtimin e buxhetit të komunës së Petrovecit prej mbi 1,5 milionë euro.

Njëri prej tyre është kryetari aktual dhe kandidat për kryetar komune të Petrovecit, Borçe Mitrevski i cili tashmë 3 mandate drejton Komunën. E pse pikërisht tash në prag të zgjedhjeve u hap kjo lëndë, edhe pse parashtresa anonime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe pastrim parash është dërguar në maj të këtij viti? Pyetëm zëvendëskryeministrin Nikollovski se a është hakmarrje politike?

“Nuk mundet drejtësia të pret dhe nuk mundet të mos veprojë… Me lejoni të përgjigjem. Mua nuk më intereson a është kandidat apo nuk është kandidat kryetar komune. Ka parashtresë të saktë, për person konkret, institucionet kanë vepruar”. Nuk ka asnjë rast që është dorëzuar në kabinetin e që nuk është proceduar në ndonjë institucion. Ky është dallimi mes regjimit që e kemi pasur në kohën e VMRO-DPMNE-së”, tha Ljupço Nikollovski, zëvendëskryeministër.

Përveç kësaj parashtrese, janë dorëzuar edhe shumë parashtresa edhe për punën e federatave sportive, për çka tërë dokumentacioni është dorëzuar në Prokurori Publike për të vepruar.

“Në qoftë se me të vërtetë ka parashtresa për funksionarë të tanishëm duhet të dorëzohen deri te institucionet kompetente dhe deri te policia financiare deri te ne nuk ka arritur asnjë parashtresë, ashtu siç tash po dëgjoj se paska pasur disa parashtresa. Në qoftë se ka të jeni të sigurt se ne do të veprojmë”, tha Arafat Muharremi, drejtor i Policisë Financiare.

Kryetari i komunës së Petrovecit, Borçe Mitevski, na tha se nuk është në gjendje të flasë para kamerës pasi që ishte i infektuar me Kovid-19. Përmes një shkrim përgënjeshtron të gjithë akuzat duke thënë se kjo që po bëhet është fushatë e zezë për shkak se është kryetari më i suksesshëm i VMRO-DPMNE-së.

“Edhe më parë ishte bërë kontroll prej shërbimeve të MPB-së, ku me muaj të tërë kanë shqyrtuar dokumentacione (nga ana e sektorit për krim të organizuar dhe korrupsion), por deri më tani nuk kishte diçka kontestueshme për prokurimin në fjalë. Pyetja dhe në të njëjtën kohë demanti është se si LSDM e cila është 5 vite në pushtet, ndërsa tash një muaj para zgjedhjeve nxjerrë “dhjam prej pleshtit”, kinse “fatura fiktive dhe larje parash”, të cilat nuk kanë qenë të realizuara, kurse të njëjtat janë të paguara në vitin 2012″, tha Borçe Mitevski, kryetar i Komunës së Petrovecit.

Deri te Prokuroria është parashtruar kallëzim penal kundër pesë personave fizikë dhe tre personave juridikë për keqpërdorimin e pozitës zyrtare, ku ekzistojnë baza për keqpërdorimin e pozitës dhe detyrës zyrtare, nxitje të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, keqpërdorim të procedurës për partneritet publik privat dhe për pastrim parash.