Rektorati i Universitetit Shën Kirili dhe Metodi ndau shpërblime për studentët më të suksesshëm në vitin akademik 2021/2022 nga çdo fakultet në këtë universitet. Disa prej tyre kishin përfunduar studimet me notën mesatare 10,00, por sa janë të interesuar për të vazhduar me punë në vend? Studenti Risto Saveski nga Fakulteti Filozofik konsideron që sukseset dhe diturinë që ka fituar duhet t’ia kthejë shoqërisë në vend.
“Absolutisht, konsideroj që sukseset që kam arritur duhet t’ia kthej shoqërisë, respektivisht të veproj edhe më tej në Maqedoni. Nuk e përjashtoj mundësinë për t’u përsosur jashtë vendit, mirëpo në çdo rast do të doja të kthehem dhe qëllimet e mija t’i arrijë në Maqedoni”, tha Risto Saveski, i diplomuar në Fakultetin Filozofik.
Jovana Spasiq nga Fakulteti i Artit Dramatik ankohet që për të dhe për fushën që ajo ka ndjekur studimet, nuk ka kushte të mira për zhvillim dhe punësim, dhe të ardhmen nuk e sheh në Maqedoni.
“Duke paur parasysh që profesioni im është paksa i komplikuar dhe nuk ka shumë vende pune. Ne disi jemi të përcaktuar të punojmë në teatro apo në filma por tek ne filma dhe seriale nuk incizohen aq shumë. Më duhet të them se nuk ka shpesh punësime në teatër kështu që nuk është e lehtë. Për momentin jam për studime të magjistraturës në Beograd njëlloj për aktrim kështu që planifikoj në vend tjetër ta provoj t’ia hapë rrugën vetes dhe shpresoj që edhe këtu do të mund të dëshmohem”, pohoi Jovana Spasiq, e diplomuar në Fakultetin e Arteve Dramatike.
E kur jemi te aktrimi, dekani i fakultetit të artit dramatik Besfort Idrizi thotë që studentët që ndjekin artin nuk kanë vullnet për të qëndruar në vend sepse shumë pak po investohet në fushën e kulturës.
“Fatkeqësisht studentët dhe rinia në përgjithësi e sheh veten më shpesh jashtë vendit tonë se sa këtu në vendin tonë. Kjo është një fenomen që po ndodhë vite me radhë tashmë dhe sfera e kulturës nuk bën ndonjë përjashtim. Duke vënë re një situatë të tillë, sigurisht që idenë e parë që do ta kenë rreth vendit të tyre do të jetë që ky vend nuk është edhe aq artdashës të them dhe në radhë të parë në këtë vend janë shumë sektore të tjera dhe kultura është gjëja e fundit për të cilën mendohet”, tha Besfort Idrizi, dekan i Fakultetit të Artit Dramatik.
Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror për Statistika, në vitin 2022 në studime deridiplomike kanë diplomuar gjithsej 7483 studentë që paraqet ulje për 3,5% në krahasim me vitin 2021.