Kafenetë hapen nesër! 3 javë qëndruan të mbyllura, Filipçe sqarohet: Masat dhanë rezultate, vala po qetësohet

TË FUNDIT

3 javë pasi u mbyllën, nga nesër kafenetë do të hapen sërish, por do të mund të punojnë vetëm në veranda.

Këtë vit, Bajramin dhe Pashkët qytetarët do t’i kremtojnë pa orë policore, duke pasur mundësinë të vizitojnë të afërmit dhe objektet fetare.

Por ora policore do të vazhdojë të vlejë ditëve jashtë këtyre dy festave, por më e shkurtër. Do të fillojë në ora 21:00 dhe do të mbarojë në ora 05:00 të mëngjesit të ditës së nesërme.

Se pse po mundësohen tubimet gjatë festave, autoritetet shëndetësore japin sqarime.

“Në momentin kur filluan të bien numrat, në atë moment ne vendosëm masa shtesë restriktive. Me qëllim që tërë ai proces të përshpejtohet, të zbrazen spitalet, megjithatë, e kishim parasysh se para nesh janë festat, kurse duke mësuar nga përvoja paraprake nga viti i kaluar, se festat ishin një moment i përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Mirë që ajo dha rezultat, dhe tani kemi numër gjithnjë më të ulët të diagnostikuarve të rinj, gjithnjë dhe më i vogël është pranimi i pacientëve në spital. Tërë kjo na e jep të drejtën të themi se kjo valë po qetësohet”, tha Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Lirimi i qytetarëve për festa vjen, sepse rreth 80% e qytetarëve janë religjioz dhe se Komisioni për Sëmundje Ngjitëse dhe Shtabi i Krizës mbajnë llogari për jetën sociale dhe tradicionale të popullit tonë, është arsyetuar nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev.

“Ja, gjatë fundjavës pritet mot i nxehtë, të gjithë të jemi jashtë, duke mbajtur distancën. Njëkohësisht, të menaxhohet në tërësi hyrja në objektet fetare, në kishat apo xhamitë, të jenë në pajtim me protokollet dhe masat. Të dërgojmë porosinë te qytetarët, se nëse vazhdojmë më tej, sikurse bëmë deri më tani, t’i respektojmë masat, para se gjithash për mbrojtje personale, për mosgrupim, kur jemi në grup të mbajmë maskë, nëse mundet, edhe mbrojtje e dyfisht, dy maska, atëherë do të mund të vërtetojmë vëmendjen për aspektin social të rëndësishëm për jetën e qytetarëve”, potencoi kryeministri i vendit, Zoran Zaev.

Gjatë ditës së djeshme është realizuar edhe takim me krerët fetarë të vendit. Është porositur, që kishat dhe xhamitë të mos plotësojnë më shumë se 30% të kapacitetit të tyre, dhe kjo të bëhet në kuadër të masave mbrojtëse anti-Covid.