Pasi dje VMRO-DPMNE-ja e dorëzoi në Kuvend Rezolutën për vijat shtetërore të Maqedonisë dhe pasi në shkresë figuron edhe shkurtesa e emrit kushtetues të shtetit, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ende nuk zbulon kur do ta vendosë në rend dite në seancë plenare. Ai dje në intervistë për TV24 tha se ende nuk e ka marrë Rezolutën dhe se në rend dite do ta vendosë vetëm nëse i plotëson kushtet.
“Për mua bazike është ta pranoj në procedurë adekuate si dokument zyrtar, e jo në media. Për mua, zyrtarisht është kur do ta kem në tavolinë dhe sipas Rregullores do të jap qëndrim”, deklaroi Xhaferi.
Koalicioni Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa tashmë 3 ditë me radhë paralajmërojnë se do të deklarohet nëse do ta mbështesin Rezolutën për vijat shtetërore të Maqedonisë së Veriut në negociatat me Bullgarinë, por ende nuk dalin me qëndrim zyrtar. Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE-ja në intervistën e djeshme për TV21 tha se koalicioni ASh/AAA po taktizon.
“Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nuk del me deklaratë zyrtare pasi, ja siç pamë dhe siç e dimë, BDI-ja dhe LSDM-ja janë në koalicion dhe dolën me qëndrime të kundërta, kështu që ndoshta Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa konsiderojnë se bëhet fjalë për ndonjë taktikë politike apo strategji, prandaj edhe ata taktizojnë me qëndrimin e tyre zyrtar”, tha Stojanovska.
Në Rezolutë e cila ka të bëjë me vijat shtetërore në negociatat me Bullgarinë, kërkohet që bisedimet të zhvillohen në mënyrë të barabartë dhe parimore dhe të respektohen njohuritë e shkencës maqedonase, rreth autoktonisë së gjuhës maqedonase dhe vazhdimësisë së saj historike, gjuhësore dhe kulturore.
