Ka jetë edhe pas kancerit në gji, blerja e mamografëve sërish premtim i Filipçes

TË FUNDIT

Para 11 vjetësh, Nikolinka është operuar nga kanceri i gjirit.  Por ajo nuk dorëzohet, ka motiv për jetë dhe fton të gjithë të prekurit nga kanceri që të mos frikësohen por të luftojnë, sepse siç shprehet, ka jetë edhe pas kancerit.

Incidenca e kancerit të gjirit shënon rritje, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por në tërë botën, njoftojnë nga shoqata “Borka”. E pacientët vazhdojnë të presin deri në dy muaj për mamografi.

Fushatën e përkrahu edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili sikurse para disa muajsh përsëri paralajmëroi blerjen e tetë mamografëve.

“Përpara rozë” është fillimi i fushatës me të cilën shënohet  muaji botëror i luftës kundër kancerit në gji, me çka edhe vendi ynë tashmë 11 vjet me radhë është bërë pjesë e familjes botërore për luftë kundër kësaj sëmundjeje.

Ambasadorja amerikane Kejt Meri Bërns tha se qëllimi i kësaj fushate është të ngritet vetëdija për këtë sëmundje si dhe qytetarët të informohen që kontrollet e hershme janë preventivë kundër kancerit në gji.

Mjekët këshillojnë se ajo që mund të bëhet për uljen e rrezikut të vdekshmërisë nga kanceri në gji është vetkontrolli mujor i gjinjve dhe kontrolli mamografik në çdo dy vjet.

Maqedonia e Veriut nuk ka regjistër nacional për numrin e personave që janë të prekur nga sëmundjet malinje apo sa prej rasteve të prekura përfundojnë në mënyrë fatale.