Qeveritarët VMRO-VLEN assesi të zbulojnë emrat e zyrtarëve të Qeverisë së kaluar për të cilët thonë se kanë dyshime për krim dhe korrupsion. Se ka dyshime për punë joligjore në institucione, kryeministri Hristijan Mickoski e ri përsëriti edhe sot. Megjithatë, kërkon pak kohë, që të mos mendohet se gjithçka po bëhet për shou.
“Deri tani posedojmë indicje serioze për punë joligjore në shumë institucione. Por kemi kujdes, duam të sigurojmë dëshmi të forta. Nuk duam të lëmë hapësirë për çfarëdo interpretimi se bëhet fjalë për përndjekje politike ndaj dikujt. Nuk duam të shkojmë një hap përpara e një hap prapa, e më pas në opinion të mendojnë se ja këta u dakorduan, janë të njëjtë si të mëparshmit. E arrestuan, bënë spektakël dhe pas tre ditëve e liruan. Nuk duam kështu”, tha Hristijan Micksoki.
Arben Taravari nga koalicioni VLEN, ministër i shëndetësisë, thotë se për momentin po bëhet revizion në shumë institucione në të cilat ka dyshime për keqpërdorime. Edhe Taravari kërkon kohë që ato dyshime të dëshmohen.
“Jemi duke i reviduar shumicën e institucioneve dhe pikërisht në Tetovë kemi indicje, nuk e di si do të dalë në fund, nuk dua të paragjykoj. Por kemi indicje se ka pasur keqpërdorime prej ish drejtorit të spitalit klinik të Tetovës por na lejoni hapësirë që të dalim me dëshim nëqoftëse kjo është e vërtetë. Nëqoftëse nuk është e vërtetë mbeten vetëm indicje”, tha Arben Taravari.
E duke komentuar deklaratën e zëvendëskryeministrit të parë Mexhitit, se ekziston një grup i vogël njerëzish me para të zeza, Mickoski thotë se një grup i tillë ekziston, madje aty ka funksionarë të lartë nga qeveritë e kaluara. Qëllimi sipas tij është të nxiten tensione ndëretnike.
“Kemi indice për elemente të cilët posedojnë shuma të mëdha milionëshe të parave. Një pjesë e tyre janë edhe funksionarë të lartë të qeverive së kaluara, e të cilët po tentojnë të mobilizojnë njerëz në teren, në pjesën më të madhe t’i manipulojnë dhe ajo që mua veçanërisht më brengosë është se po tentojnë të provokojnë konflikt etnik, gjegjësisht të destabilizojnë harmoninë ndëretnike në Maqedoni”, tha Mickoski.
Në ditën e shënimit të 23 vjetorit të MO-së, Fronti Europian i prirë nga BDI doli me platformë për ndërmarrjen e masave ligjore dhe politike. Këto masa, siç thanë, do të jenë në drejtim të mbrojtjes së legjitimitetit tek shqiptarët. Nga FE po ashtu kanë paralajmëruar se nga vjeshta do të dalin në terren në takime me qytetarët.