Arti dhe krijimtaria artistike e Simon Shirokës tash do të jetw e përmbledhur në një botim. Është fjala për monografinë që do të botohet mbi punën dhe përkushtimin e tij kushtuar artit, “Monografia e Simon Shirokës”, e cila është shkruar nga vajza e artistit, Justina Shiroka Pula.
Justina Shiroka Pula në një intervistë për KultPlus tregoji se në këtë monografi do të përfshihen periudha të ndryshme të krijimtarisë së Simon Shirokës, duke filluar nga viti 1965 e deri në vitet e 90-ta.
“Në monografi flitet për artin e Simon Shirokës, për periudhat e ndryshme në të cilat i ka zhvilluar kategoritë e artit. Fillon diku nga vitin 1965 e deri në vitin 1990, në kohën kur edhe është sëmurë dhe është paralizuar. Dhe në periudhën si i paralizuar 1990-94 janë paraqitur vizatimet e tij, të cilat i ka realizuar në gjendjen e tij si i paralizuar. Periudha që përfshin vitin 1965 janë veprat e ndryshme nga argjendi. Në monografi paraqiten edhe vizatimet që ai i ka realizuar. Në këto periudha paraqitën vepra të ndryshme të cilat ai i ka krijuar nga argjendi dhe nga bakri, skulpturat dhe figurat e ndryshme të viteve 60-ta dhe 70-ta”, ka thënë Shiroka Pula, transmeton KultPlus.
Sipas saj, në “Monografia e Simon Shirokës” përmban edhe imazhe dhe motive etnografike, pastaj gjenden kompozicione të ndryshme nga aspekti social dhe valle kombëtare, pastaj ka vizatime të ndryshme të realizuara në tekniken e tushit.
“Ajo çka është interesante në këtë monografi është se ka intervista të zgjedhura nga periudha e krijimtarisë së tij e deri në vdekje. Janë intervista që ai i ka dhënë, dhe shkrime të ndryshme që janë shkruar për artin dhe veprën e Simon Shirokës. Shkrimet e shkruara nga shkrimtarët e ndryshëm, analist e akademikë të ndryshëm që kanë folur për veprat, ekspozitat dhe tërë krijimtarinë e Simon Shirokës”, deklaroi për KultPlus, Justina Shiroka Pula .
Botimi “Monografia e Simon Shirokës” është mbështetur një pjesë nga Ministria e Kulturës dhe pjesa tjetër nga vetë familja e tij. Botues i saj është Galeria Kombëtare e Kosovës, kurse redaktor është Shkëlzen Maliqi.
Monografia mbi jetën dhe krijimtarinë e artistit Simon Shiroka, do të promovohet ditën e enjte, 3 shtator, në Qendrën Tregtare “Çarshia”, përkatësisht në kafiterinë që gjendet në këtë qendër, për faktin se pikërisht në këtë kafiteri gjenden disa nga punimet e Simon Shirokës.
