Kryetari i Komisionit të Evropës, Zhan Klod Junker, ju ka bërë sot thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që pa vonesë të miratojnë planin gjithëpërfshirës për shpërndarjen e refugjatëve nga vatrat e krizës në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Gjatë fjalimit para deputetëve të Parlamentit të Evropës, Junker deklaroi se situata në të cilën gjendet Bashkimi Evropian nuk është aspak e mirë.
Ai më tutje shtoi se unioni aktualisht po përballet me valën e refugjatëve nga Siria, Libia dhe Eritrea, prej nga në Kontinentin e vjetër deri me tani kanë arritur rreth 500 mijë persona dhe shtoi se shtetet evropiane nuk duhet të frikësohen por duhet të aktivizojnë të gjitha institucionet, ngase prioritet i tyre duhet të jetë humanizmi dhe dinjiteti njerëzor.
Kryetari i Komisionit të Evropës përkujtoi se shumë popuj të Evropës gjatë historisë kanë qenë të detyruar të arratisën nga përndjekjet dhe luftërat dhe përmendi edhe refugjatët që hynë në Bashkimin Evropian gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, duke kujtuar se ky konflikt nuk ka ndodhur para qindra viteve, por në fund të shekullit të kaluar.
Junker tha se ka ardhur koha që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ti japim fund shkëmbimit të akuzave mes vete, për të cilat tha se gjithmonë drejtojnë gishtin kah Brukseli kur nuk e kryejnë punën e tyre ashtu si duhet dhe ju bëri thirrje që urgjentisht të pranojnë planin e Komisionit të Evropës, i cili parasheh që 160 mijë refugjatë, të cilët gjenden aktualisht në Greqi, Itali dhe Hungari, të shpërndahen në mënyrë të barabartë në shtetet tjera anëtare të unionit.
Ai më tutje shtoi se pranimi i refugjatëve duhet të jetë i obligueshëm dhe se ata nuk duhet të diskriminohen në baza fetare apo karakteristika tjera personale.
Si masë shtesë Junker propozoi edhe miratimin e një liste të përbashkët evropiane të shteteve të sigurta, nga të cilat azilkërkuesit vijnë jo për shkak të luftërave, por për arsye ekonomike. Ai tha se në këtë listë duhet të përfshihen Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Ai shpjegoi se qytetarëve nga këto shtete nuk do t’iu mohohet e drejta për të kërkuar azil, por qartësoi se kërkesat e tyre do të përpunohen me procedura të përshpejtuara dhe ata që do të refuzohen, do të riatdhesohen në vendet e tyre.
