Zënka në “Deve Bair” mes policisë së Maqedonisë dhe disa shtetasve bullgarë

TË FUNDIT

Për ta shënuar 151-vjetorin e lindjes së Goce Dellçevit, në Kishën “Shën Spas”, mbërriti edhe delegacioni bullgar i kryesues nga zëvendëskryeministri dhe ministri teknik i Brendshëm, Ivan Demerxhiev. Pasi vendosi kurorë lulesh te varri i revolucionarit maqedonas, Demerxhievi në deklaratë për media reagoi për atë që qytetarët bullgarë të cilët në mënyrë të organizuar janë nisur te varri i Dellçevit, ishte dashur të prisnin në kufi për të hyrë në Maqedoni, për shkak se sistemi kishte rënë.

“Me qëllim që në të ardhmen të mos ketë probleme të tilla, janë përgatitur tre gjeneratorë që do t’i dhurojë Ministria e Punëve të Brendshme të hënën. Ata do të jepen për tre pika kufitare që të mos ketë probleme të ngjashme në të ardhmen”, tha Ivan Demerxhiev, zëvendëskryeministër i Bullgarisë.

Demerxhiev tha se personalisht ka kërkuar nga Angel Xhambaski dhe Kostadin Kostadinov, të cilët vazhdimisht provokojnë vendin tonë me deklarata se Maqedonia është bullgare, të mos vijnë sot. Ai refuzoi të përgjigjet për provokimet e këtilla nga ana e tyre, ndërsa shtoi se ka kërkuar që kremtimi i sotëm të bëhet në mënyrë të përbashkët me delegacionin maqedonas, por kërkesa e tij u refuzua.

“Bullgaria është vendi i parë që njeh Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nuk do t’i komentoj spekulimet e tjera. Për ne është e qartë se Maqedonia e Veriut është shtet i pavarur dhe unë si përfaqësues i shtetit bullgar kam respekt të plotë ndaj shtetit maqedonas dhe popullit maqedonas. I propozova ministrit Spasovski që bashkërisht të vendosim lule, sepse mendoj se kjo është mënyra e duhur dhe mendoj se një apostull si Goce Dellçev e meriton sjelljen e këtillë. Kjo kërkesë u hodh poshtë, por shpresoj se kjo të ndodhë në kremtimin e ardhshëm”, pohoi Ivan Demerxhiev, zëvendëskryeministër i Bullgarisë.

E mëngjesin e sotëm, situatë më e tensionuar ishte në kufirin bullgaro-maqedonas “Deve Bair”, ku u arrestuan tre shtetas bullgarë për shkak të prishjes së rendit publik, ofendimit dhe tentimit për të sulmuar fizikisht policët kufitarë maqedonas. Portalet bullgare përcjellin se këta shtetas janë rrahur nga policia jonë kufitare. I gjithë problemi u paraqit për shkak se sistemi i kontrollit “ka rënë”. Për këtë arsye qytetarët bullgarë të cilët në mënyrë të organizuar u nisën drejt varrit të Goce Dellçevit, u desh të prisnin më shumë kohë, pas çka filluan t’i ofendojnë policët.

-Le të vijë shefi! Qetësi do të thoni në radhët e MPB-së së Maqedonisë. Ne jemi qytetarë bullgarë, e me këtë edhe evropianë! Nëse dëshironi që gjërat të ecin normalisht, do t’i trajtoni me respekt qytetarët bullgarë, ashtu siç ju trajtojmë ne.

– Nuk ka nevojë të bërtitni….

-Ka nevojë, sepse nuk kuptoni bullgarisht. Këtë që po e bëjnë bashkëqytetarët tuaj nuk është normale. Ne nuk jemi as të armatosur, nuk mbajmë as bomba dhe as nuk jemi afganë!

– Urdhëroni, hipni në automjetet tuaja.

-Përkundrazi, nuk hipim në makinë. Dëshironi ta largoj policinë? Ta largoj policinë?  

-Mos bërtit!

-E çka do të më bësh?

-Tërhiqu mbrapa!

-Dua të shkoj në varrin e Goce Dellçevit, kurse ju këtu, ciganë, më bëni problem për të hyrë…

Atmosfera gjatë shënimit të sotëm të ditëlindjes së revolucionarit maqedonas, Goce Dellçev “u nxeh” dhe u shpall si ngjarje me rrezik të lartë sigurie, pasi paraprakisht politikanët bullgarë Angel Xhambaski dhe Kostadin Kostadinov në qendrën e Shkupit drejtuan një sërë provokimesh, duke thënë se Maqedonia është bullgare. Pas kësaj, ndodhi edhe rasti me rrahjen e sekretarit të Klubit bullgar në Ohër Hristijan Pendikov.