Prokurorja Sonja Simovska do të jetë ushtrues detyre prokurore republikane në vend të Lubomir Joveskit. Ajo funksionin do ta kryejë deri sa të emërohet prokurori i ri republikan, procedurë që kalon përmes Qeverisë dhe Kuvendit. Detyra e Simovskës fillon të hënën më 25 dhjetor, pasi po atë ditë përfundon zyrtarisht mandati i Joveskit.
“Prokurorja Sonja Simovska e cila në seancën e sotme të këshillit të prokurorëve publik është caktuar për ushtrues detyre deri në emërimin e prokurorit publik të RMV-së, është prokuror me përvojë shumëvjeçare, e dëshmuar në profesionin e saj si profesioniste e vërtetë, i njeh mirë gjendjet në Prokurorinë Publike”, u shpreh Dushica Dimitrievska, kryetare e Këshillit të Prokurorëve.
Sonja Simovska vjen si propozim i vet kryetares së Këshillit të Prokurorëve, Dushica Dimitrieska dhe u votua nga të gjithë prokurorët e pranishëm. Ajo ka punuar në Prokurorinë e Shkupit e më pas edhe në Prokurorinë Themelore Publike. Nga viti 2022 është pjesë e Prokurorisë Republikane.
E ndërkohë deri te Këshilli i Prokurorëve ka arritur nga Qeveria kërkesa për mendim për kandidatët për prokuror republikan dhe në afat prej 15 ditëve këshilli duhet të japë mendim pozitiv apo negativ.
“Kërkesa për dhënien e mendimit ka arritur në Këshillin e Prokurorëve. Afati ligjor është 15 ditë, që Këshilli të jep mendim pozitiv ose negativ në formë të shkruar, për secilin prej kandidatëve të cilët janë paraqitur dhe plotësojnë kushtet sipas ligjit. Janë paraqitur tre kandidatë. Ato janë Fatime Fetai, Lidija Rajçeviç dhe Lupço Kocevski.”, tha më tej Dimitrievska
Sa i përket biografisë së tre kandidatëve të tjerë, prokurorja Lidija Rajçeviç është me përvojë më të gjatë në Prokurori, duke filluar nga viti 2003. Ajo njihet më tepër nga rasti “Rover” ku i akuzuar për ndihmë në vrasje ishte Lube Boshkovski. Ajo ishte edhe kundërkandidate e Joveskit në mandatin paraprak.
Kandidati tjetër Lupço Kocevski, është zgjedhur si prokuror në Prokurorinë e lartë në Gostivar, e para dy viteve është avansuar në prokurorinë republikane. Ai ishte kryetar i komisionit disiplinor e me propozim të të cilit, u shkarkua prokurorja për ndjekje të krimit të organizuar, Vilma Ruskoska.
Kandidatja e tretë, Fatime Fetai, është kandidatja më e re në moshës dhe në opinion është e njohur nga Prokuroria Speciale Publike. Nga atje u kthye në Prokurorinë e Shkupit ndërsa nuk u zgjodh si prokurore për krim të organizuar. Ajo pak më vonë u avansua në prokurore e lartë në Shkup.
Për kandidatët për prokuror republikan për të cilët Këshilli do të jep mendim pozitiv, Qeveria zgjedhë vetëm njërin dhe e dërgon për votim në seancë plenare në Kuvend. Nëse këshilli jep mendim negativ për të tre kandidatët, atëherë konkursi duhet të përsëritet.
